Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka deklaruar se vendi i tij nuk do të sakrifikojë dinjitetin e vet për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.
“Anëtarësimi në BE dhe NATO mbetet prioritet kryesor, por jo me cdo cmim Maqedonia do të humbasë dinjitetin e vet”, ka thënë Gruevski.
Sipas agjencisë së lajmeve “INA”, kryeministri ka theksuar se vendi i tij është i gatshëm për dialog dhe kompromis, por nuk do të pranojë t’i nënshtrohet zgjidhjeve të diktuara nga Greqia.
“Maqedonasit kërkojnë respekt nga të tjerët dhe Maqedonia ka të drejtën e mendimit dhe qëndrimit të saj përsa u përket interesave shtetërore”, ka pohuar Gruevski.
Duke folur në një takim të forumit rinor të partisë së tij, Gruevski ka shtuar se, në samitin e dhjetorit ai pret që të mbretërojnë vlerat evropiane.
“Shpresojmë që Maqedonia të fillojë negociatat për anëtarësim dhe paralelisht të angazhohet për zgjidhjen e cështjes së emrit”, ka shtuar Gruevski.
Lidhur me cështjen në fjalë, ministri i sapoemëruar i Punëve të Jashtme të Greqisë, Stavros Dhimas deklaroi pak ditë më parë se Athina i ka pozicionet e qarta rreth cështjes së emrit.
Ai u shpreh se pala greke i ka bërë të gjitha lëshimet dhe tani përgjegjësia i ka kaluar vetëm Shkupit, që po hyn në një rrugë pa krye.
Në raport-progresin e KE, Maqedonia mori sërish dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit, por qëndrimi i Greqisë që refuzon ta njohë vendin me këtë emër kushtetues mban të bllokuar procesin.
Top Channel