Turqia: Duam antarësimin në BE

20/11/2011 09:45

Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, deklaroi se vendi i tij vazhdon të dëshirojë antarësimin në Bashkimin Europian, pavarësisht krizës së Eurozonës.

Gyl, i cili do të mbërrijë të dielën në një vizitë 3-ditore në Britaninë e Madhe, deklaroi përpara nisjes se antarësimi i vendit të tij do të ishte mbi të gjitha i dobishëm për vetë Bashkimin Europian, për shkak të “qëndrueshmërisë dhe dinamizmit të ekonomisë turke”.

Londra zyrtare e ka mbështetur kandidaturën turke dhe ka qenë një prej nismëtareve të hapjes së bisedimeve në vitin 2005. Nëse do të antarësohet, Turqia do të jetë vendi i parë i Unionit me shumicë muslimane.

Megjithatë, përpara se një hap i tillë të ndërmerret, mbetet për t’u zgjidhur problemi shumë delikat i Qipros së veriut, ku autoritetet turke kanë instaluar një shtet të njohur vetëm prej tyre, pas një lufte të shkurtër në vitin 1974. Në kushtet aktuale, duket pothuaje e pamundur që Qiproja, një vend antar i BE-së, të japë aprovimin e tij për antarësimin.

Në bazë të ligjeve të BE-së, çdo vend antar duhet të ratifikojë antarësimin e një shteti të ri, në mënyrë që të ai të pranohet në bashkësinë e përbashkët.

Në takimet e presidentit Gyl me kryeministrin David Cameron, Siria pritet të jetë gjithashtu një prej temave kryesore të bisedimeve.

Top Channel