Australi, katër viktima nga zjarri

19/11/2011 04:57

Autoritetet australiane ngritën akuza për vrasje të katërfishtë mbi një infermier, pas një zjarri të rënë në një azil pleqsh.

Për pasojë katër persona mbetën të vdekur dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën.

Identiteti i 35-vjeçarit, i cili ishte një punonjës në shtëpinë e pleqve, nuk u bë publik nga policia e  New South Wales.

Zjarri shpërtheu rreth orës 05:00 të mëngjesit të premten, dhe shkatërroi rreth 20% të ndërtesës që ndodhej në Sidnei.

Pothuajse 90 persona ishin në atë kohë brenda ndërtesës. Tre vetë vdiqën në moment nga flakët dhe 32 të tjerë janë transportuar në spitalet e zonës, 15 prej të cilëve në gjendje kritike, njëri prej tyre, sipas policisë, vdiq pak çaste më pas.

“Pas mbërritjes, tymi ishte kaq i dendur sa nuk mund të shihje as dorën tënde para fytyrës”, tha një prej zëdhënësve të policisë. Policia për shkak të intensitetit të zjarrit, nuk ka mundur të ndërhyjë në kohë në vendngjarje.

Top Channel