Itali, Monti merr “dritën jeshile”

18/11/2011 15:35

Kryeministri i sapoemëruar italian, Mario Monti, pasi kaloi provën në Senat, doli para Dhomës së Ulët të parlamentit, ku ashtu sic pritej u votëbesua pa asnjë surprizë të hidhur. Me 556 vota pro dhe vetëm 61 kundër, kryesisht nga Liga e Veriut e Umberto Bossi-t, Dhoma kaloi qeverinë e rë me teknicienë  e pa politikanë.

Kreu i Ligës së Veriut, Umberto Bossi e quajti Montin “një mbulesë” për të ndërmarrë reformat e munguara, reformat që sipas tij, do të rrisin ndjeshëm pakënaqësitë e popullit italian. Kur të arrihet në këtë pikë, thotë Bossi, Monti do të shkarkohet.

Kryeministri Mario Monti shpalosi gjerësisht programin e tij, “një program në dy pjesë, me horizonte kohore të ndryshme”, siç u shpreh ai.

Përballimi i krizës ekonomike, mbrojtja e euros dhe reformat, por edhe një plan i qartë për shkurtimin e shpenzimeve të kostos së politikës, lufta kundër evazionit dhe reforma në fushën e punës e pensioneve, me vëmendje të veçantë tek gratë dhe të rinjte.

I gjithë programi i Montit përshkohet nga një frymë e thellë europiane. Ai tha se Europa po jeton ditët më të vështira që nga Lufta e Dytë Botërore. Por ajo nuk duhet konsideruar si armik. “Nuk ka “ata” dhe “ne”. Europa jemi ne”, përfundoi kryeministri.

Programi i paraqitur u pëlqye nga Konfindustria, kryesisht u vlerësua angazhimi për riekuilibrimin e presionit fiskal.

Ish-kryeministri Silvio Berluskoni deklaroi se partia e tij votoi në favor të qeverisë së re, por më pas do të gjykojnë për çdo masë në veçanti. “Monti do të zgjasë sa të dojë partia ime”, përfundoi Berluskoni.

Ditën e enjte qeveria Monti u votëbesua në Senatin italian, duke marrë kundër vetëm 24 vota të senatorëve të Ligës së Veriut.

Mbledhja e parë e qeverisë së re që përbëhet nga 17 ministra, prej të cilave 3 femra, do të mbahet ditën e hënë.

Top Channel