Filipine, pranga ish-presidentes Arroyo

18/11/2011 17:00

Ish-presidentja filipinase, Gloria Arroyo është arrestuar nën akuzën e manipulimit të zgjedhjeve.

Arroyo u arrestua teksa ndodhej në shtratin e një spitali në kryeqytetin Manila, nën akuzat se ka mashtruar për të siguruar një vend në Senat për një nga mbështetësit e saj, në zgjedhjet e vitit 2007.

Gjithashtu, ish-presidentja gjendej prej kohësh në një betejë ligjore, pasi kërkonte leje për t’u larguar nga vendi me qëllim për t’u mjekuar jashtë.

Nga ana e saj Arroyo mohon të ketë bërë shkelje dhe avokati i saj thotë se akuzat janë të motivuara politikisht.

Ferdinand Topacio deklaroi se qeveria i kishte ngritur akuzat me një “ngut të shëmtuar”, për të organizuar atë që ai e quajti një “model të ri përndjekjeje”.

Një gjykatë filipinase kishte lëshuar një urdhërarrest ndaj Arroyo pasi Komisioni Zgjedhor ngriti akuzat ndaj saj.

Për muaj të tërë kanë qarkulluar spekulime se ish-presidentja do të akuzohej për manipulim të votave, ose për përvetësim të tyre.

Nën kërcënimin e akuzave që rëndonin mbi të, qeveria filipinase e futi zonjën Arroyo në listën e personave që duhet të kërkojnë leje për t’u larguar nga vendi.

Ajo nisi një betejë gjyqësore me pretendimin se ndalimi i udhëtimit jashtë vendit shkelte të drejtën e saj kushtetuese që të cilësohej e pafajshme deri në provë të kundërt.

Dy herë brenda kësaj jave, Gjykata Supreme, që dominohet nga persona të caktuar nga ish-presidentja, ka vendosur në favor të saj.

Top Channel