Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë sa më shpejt realitetin e ri në Kosovë.
“Serbia duhet të pranojë realitetin e një Kosove të pavarur, multietnike dhe me kufijtë aktuale”, ka deklaruar Gordon, i cili ka kërkuar heqjen e barrikadave në veri.
Zyrtari amerikan, bejne te ditur media te ndryshme, ka përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës, duke theksuar se cdo retorikë që bën thirrje për ndarje është e dëmshme dhe në kundërshtim me përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për një Ballkan të qetë e të qendrueshëm.
Gordon ka vlerësuar gjithashtu se nuk mund të flitet për një Evropë të lirë, demokratike e paqësore, pa zgjidhur më parë cështjet e mbetura pezull në Ballkanin perëndimor.
“Qëllimi i qartë i politikës sonë është integrimi i këtyre vendeve në institucionet euro-atlantike”, ka nënvizuar Gordon gjatë një raportimi në Dhomën e Punëve të Jashtme të Kongresit amerikan.
Lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi të nisura në muajin mars, ndihmës sekretari i Shtetit ka deklaruar se, “ato qartazi nuk kanë të bëjnë me rihapjen e cështjes së statusit të Kosovës, i cili tashmë është zgjidhur”.
Zoti Gordon ka shprehur gjithashtu shpresën se qeveria e Serbisë do të bashkëpunojë plotësisht me KFOR-in dhe EULEX-in dhe do të heqë menjëherë bllokadat në rrugët e veriut.
“Nuk ka asnjë mënyrë që kufijtë në këtë rajon të modelohen në bazë të vijave të pastra etnike”, ka nënvizuar Gordon.
Më tej ai u ka sugjeruar autoriteteve të Prishtinës që të vazhdojnë betejën e vështirë për ndërtimin e një shteti solid dhe me institucione të konsoliduara.
Top Channel