Betohet qeveria Monti

16/11/2011 23:45

Me gjithë zërat që qarkulluan orët e fundit, kryeministri Mario Monti bëri zgjedhjen e pritur në kabinetin e tij: nuk ka gjurmë politikani, të 17 ministrat, gjashtë më pak se ata të qeverisë së mëparshme, janë teknokrate.

“Pa politikanë, deklaroi kryeministri, puna e qeverisë do të jetë më e lehtë dhe do t’i heqë arsyet për t’u vënë në pozitë të vështirë”.

Vetë kryeministri do të mbulojë edhe ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, meqënëse u thirr për krijimin e qeverisë pikërisht në rolin e tij si ekonomist i zoti e duke marrë përsipër kështu edhe problemet më urgjente dhe të rënda.

Kabineti qeveritar ka tre gra ministre në poste me rëndësi të madhe:  ministria e Brendshme, ajo e drejtësisë dhe ministria Punës dhe të Politikave sociale, i janë besuar tre specialisteve femra.

“Ministrat e rinj janë një parathënie e shkëlqyer e punës së kësaj qeverie”. “Kjo qeveri është e aftë të shpëtoje Italinë”. “Qeveri e serisë A”. “Tani janë kushtet për të punuar mirë në Parlametin italian”. Këto janë disa nga komentet e analistëve dhe specialistëve të cilët përshëndetën me entuziazëm kabinetin e ri qeveritar.

Ditën e enjte dhe të premte kjo qeveri do të paraqitet për të marrë votëbesimin në dy dhomat e parlamentit.

Me sa dihet nga konsultimet e ditëve të fundit, parashikohet mbështetje e gjërë nga grupimet kryesore. Po qe se dita duket nga mëngjesi, perspektivat duken të mira:  ekzekutivi solli ndikimin e tij të parë pozitiv në ekonomi. Në mbylljen e Bursës së Milanos që përkoi me orarin e betimit të qeverisë, brenda pak minutave u regjistrua një rritje prej 1,1%.

Top Channel