Ben Blushi: Shqipëria sipas fantazisë time

15/11/2011 19:35

Pas një heshtjeje relativisht të gjatë të Ben Blushit politikan, vjen për lexuesit shqiptarë Blushi shkrimtar.Provokimi i tij i radhës titullohet “Shqipëria” dhe është një metaforë për Shqipërinë e sjellë përmes një njeiru, i cili kërkonte të zëvendësonte Zotin.

Është një libër për fundin e pafajësisë, për rënien në errësirë…

Ndoshta, unë e kam të vështirë t’i bëj një përkufizim gjërave që shkruaj sepse besoj se nuk ka gjë më të vështirë se sa të flasësh për një gjë që e bën vetë. Secili le të japë komentin e vet mbi librin dhe për atë që kupton me këtë libër. Unë kam dashur të përshkruaj Shqipërinë dhe shqiptarët me aq sa i njoh. Nuk e di nëse njerëzit i ndajnë pikëpamjet e mia.

Ju në këtë libër shkoni përtej asaj që e quani letërsi.

Në gjithë këto vite ka pasur njerëz që më kanë paragjykuar për shkak se merrem me politikë dhe më duhet të sqaroj se letërsia ime nuk është politike dhe nuk është detyrë. Ndoshta kam vetëm detyrim ndaj vetes kur shkruaj. Librat e mi janë vetëm një argëtim artistik.

Subjektet e romaneve tuaja kanë vërtetuar se e tejkalojnë kohën dhe hapësirën, është një ndërlidhje e çuditshme e fantastikes me ngjarje dhe personazhë realë. Si keni arritur tek Lekë Dukagjini?

Lekë Dukagjini është ai personazh historik që të gjithë ne njohim. Është ndoshta ligjvënësi i parë shqiptar që ka krijuar një kod zakonesh e ligjesh që kanë jehonë edhe sot. Nga ai kam marrë vetëm emrin dhe nevojën për të krijuar një shtet. Lekë Dukagjini është një personazh i krijuar që nuk ka lidhje me Lekë Dukagjinin e vërtetë. Personazhi i librit tim është një produkt tipik shqiptar i kohërave që ne kemi jetuar deri në vitet ’90, ku shqiptarët i mohonin njëri-tjetrit lirinë, paqen, Zotin dhe botën në përgjithësi. Ai vdes i lumtur sepse mendon se ka krijuar një parajsë, por koha tregoi se Shqipëria nuk ishte parajsë, por një ferr për shqiptarët pas vitit ’90.

Shumë ide dhe mesazhe përcjell ky roman. Përse është një “fiction”?

Idetë e mia e kam të vështirë t’i shpreh me publicistikë. Publicistika është e përkohshme dhe unë dua që ky libër t’i rezistojë kohës.

Kam përshtypjen se jeni ndikuar nga “Perëndia e Mizave” e Uilliam Golding, ndërsa ju thatë se jeni ndikuar nga “Utopia” e Tomas Mor.

Nevoja e njeriut për të pasur një botë utopike ku gjithçka është e mirë, e pastër, e pandotur ku nuk ka konflikte, mërzi dhe dhimbje. Kjo është arsyeja që mban njeriun gjallë. Njeriu ka tendencën për të krijuar utopi në çdo rast. Edhe regjimi dictatorial kërkoi që të krijonte një shoqëri utopike ku ndalohej Zoti, nuk kishim kapital dhe ishim të gjithë të barabartë me njëri-tjetrin. Nga historia e vërtetë e popullit tonë kam marrë shkas.

Në romanin ‘Shqipëria” bëni një “lojë” me Zotin që nuk e ka bërë më parë asnjë shkrimtar shqiptar. Në rastin më të mirë Zoti për shqiptarët nuk ekziston dhe në rastin më të keq Zoti bëhet një njeri.

Po sepse ne kemi pasur rast në historinë tonë kur dikush e “hoqi” Zotin dhe tha “Zoti jam unë!” Ka popuj që kanë pasur diktatorë shumë të këqij, por asnjëri prej tyre nuk tentoi të zëvendësonte Zotin. Thelbi i librit është se shqiptarët kanë tentuar të zëvendësojnë Zotin me njeri dhe prandaj përgjithësisht nuk kanë pasur ditë të bardha.

Ky libër vjen pas një heshtjeje të gjatë politike, ndoshta letërsia është barka juaj e shpëtimit?

Edhe mund të jetë. Ka disa lloj profesionesh ku je i detyruar të ndash dështimin apo suksesin me të tjerët. Mënyra se si ata bashkëpunojnë me ty ndikon edhe tek puna jote. Politika është një rast i tillë, ndërsa letërsia është krejtësisht personale dhe nëse shkruaj keq nuk fajësoj askënd përveç vetes. Suksesi apo dështimi është imi.

Duket sikur romanet tuaja janë një formë për t’i rezistuar të keqes.

Jo, janë një mënyrë për të kuptuar të keqen. Unë nuk kam personazhe të këqinj, kam personazhe që në situata të ndryshme bëjnë keq.

Libri ka protestë dhe rebelim.

Normal që ka. Janë 600 faqe ku ndodh gjithçka.

Letërsia, përveçse prirje, është edhe punë e disiplinë. Ju si shkruani dhe çfarë ju shtyn të shkruani?

Më shtyn të shkruaj nevoja për të kuptuar dhe besoj që në disa raste është një mënyrë jetese. Kalim kohe në mënyrë artistike. Unë shkruaj gati 6 muaj në vit dhe përpiqem t’i caktoj vetes një regjim ditor. Duhet disiplinë për të shkruar një libër dhe jo të hutohesh nga gjërat e vogla të jetës.

Ju keni thënë në prezantimin e librit se nuk duhet ta merrni si një këshillë, por në fund të tij ka një mesazh fare të qartë: “Në Shqipëri ai që vjen është gjithmonë më i keq se ai që ikën.”

Kështu ka qenë. Po flas si shkrimtar dhe jo si politikan. Kështu ka ndodhur dhe këtë gjë nuk e fshehim dot.

Në fund një këshillë për ta lexuar këtë libër sepse është një vepër e vështirë për tu lexuar.

Nuk dua të tremb asnjeri duke thënë që libri im është i vështirë. Unë shkruaj në radhë të parë për kënaqësinë time. Përpiqem që shijet e mia të përputhen me ato të publikut, të kem një ekuilibër, por pa bërë kompromise. Do të doja që librat e mi të lexoheshin nga kushdo, por kjo është e pamundur. Ka pasur njerëz që më kanë thënë që e kanë lënë librin përgjysme dhe nuk më vjen aspak keq.

Top Channel