Dilemat për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Kosovë bëjnë bashkë dy rivalët kryesor politik, Hashim Thacin e Isa Mustafën.
Kreu i qeverisë kosovare dhe ai i partisë më të madhë opozitare LDK, u takuan paraditen e së martës larg vëmendjes së mediave për të diskutuar lidhur me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Kosovë, bëjnë të ditur burime nga të dyja palët.
Takimet e nivelit politiko partiak, bëhen në kohën kur komisioni parlamentar për ndryshimin e kushtetutetes për zgjedhjen e presidentit përfundon mandatin.
“Kemi rishikuar tetë nene të kushtetutës, nga neni 85-92. Është komplet procedura e përzgjedhjes së presidentit, kush do të konkurrojë, si mund të largohet dhe një varg çështjes së tjera”, shprehet Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për ndryshimin e kushtetutës.
Komisioni është në fazën përfundimtare të ndryshimit të kësaj pjese, por duket se pa ndryshimin e nenit 84, i cili flet për kompetencat e presidentit, nuk do të ketë reformë të mirëfilltë. Antarë të komisionit shprehen në favor të ndryshimit të këtij neni në mënyrë që të krijohen kompetenca të qarta për presidentin e zgjedhur ngapopulli.
“Ne mendojmë që të ruajmë autoritetin në katër fusha, forcat e sigurisë, ku duhet të ketë autoritet të pakontenstueshëm në çdo aspek. Presidenti duhet të ketë autoritet të gjerë në pushtetin gjyqësor, të përfaqësojë unitetin e kombit dhe të jetë garantues i kushtetutës”, shton Bajrami.
Ndonese nuk e kanë në këtë mandat, antarët e komisionit duket se e kanë të qartë se cilat kompetenca duhet të qartësohen. “Disa nga emërimet, ambadorët, shefi i inteligjencës, etj, duhet të përcaktohet qartë. Është e rëndësishme të ndahet përfundimisht se çfarë i takon kryeministrit dhe çfarë presidentit. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme duke patur parasysh që në të ardhmen, me zgjedhjen e presidentit nga konkurrimi i drejtëpërdrejtë i popullit, rritet shansi për dy figurat më të larta të shtetit nga parti të ndryshme, çka mund të favorizojë përballje dhe ngërçe politike, ”, deklaroi Vjollca Osmani, një prej antarëve të Komisionit.
Propozimi i komisionit per ndryshimin e nenit 84 nuk nënkupton shtyrje të afatit të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Kosovë. Të paktën sipas antarëve, të cilët thonë se ndryshimi në nenin 84 mund të përfundojë brenda afatit të paracaktuar. Kjo do të thotë se koha e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale sërish varet nga subjektet politike të përfshira në këtë cështje.
Reagimi i AKR-së, Pacolli: Jo shtyrje të zgjedhjeve
Pjesë e marrëveshjes për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale menjëherë pas reformimit të kushtetutes është edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Por, duket se vetë zoti Pacolli është lënë pak jashtë loje, pasi ai nuk ishte as pjesë e takimit të sotëm Thaçi-Mustafa, ku është diskutuar për zgjedhjet presidenciale.
Pikërisht partia e Pacollit është e acaruar me mundësinë e ndryshimit të kohës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Sipas sekretarit të përgjithshëm të AKR-së, Ibrahim Makolli, rezoluta e miratuar në kuvend për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale pas ndryshimit të kushtetutes dhe ligjit zgjedhor duhet të zbatohet.
Në një konferencë për media, ai nuk foli për atë se cili do të mund të ishte reagimi i AKR-së në rast se do të merrej një vendim përshtyrjen e zgjedhjeve deri në vitin 2013, por ka shprehur besimin e plotë që partitë politike do t’i respektojnë vendimet e Kuvendit.
Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë të martën se do të ishte jodemokratike dhe antikushtetuese nëse do të kishte shtyrje të zgjedhjeve.
Top Channel