Juventus futet në garën për Gëtzen

13/11/2011 13:15

Juventusi ka zgjedhur Mario Gëtzen si pasardhës të Alessandro Del Pieros, të paktën sipas asaj që shkruante “La Gazzetta dello Sport” ditën e dielë.

Ylli i kombëtares gjermane ka një kontratë të gjatë me Borussian, por përballë interesimit të disa klubeve të rëndësishme, kampionët e Bundesligës në fuqi duket se do të jenë të shtrënguar ta lejojnë të largohet në fundin e sezonit.

Arsenal dhe City janë dukur deri tani klubet më shumë të interesuara, por bardhezinjtë janë të vendosur të zëvendësojnë kapitenin legjendar me një yll të futbollit botëror dhe marrëveshja është inkurajuar edhe nga disa zëra që i riu do të preferonte Italinë përpara Anglisë.

Për të lëshuar futbollistin, Dortmundi pretendon një shifër midis 30-35 milion eurove, por Juventusi ka në dorë të ulë koston e operacionit duke përfshirë në bisedime edhe Krasic, i cili ka humbur vendin e titullarit në Torino dhe duket drejt largimit. Për serbin, Borussia ka shprehur interesim edhe në të shkuarën.

Ndërkohë, drejtuesit e Juventusit dhe Interit kanë mbërritur në Brazil, për t’u interesuar për dy talente të ndryshme. Ndërsa juventinët janë përqendruar tek 22-vjeçari Leandro Damiao, sulmues i Internacionalit, zikaltërit po shikojnë për mbrojtës, si Juan Jesus i Porto Allegres.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA