Hapet sheshi “Skënderbej”

13/11/2011 15:16

Sheshi “Skënderbej” do të hapet të hënën për qarkullimin e automjeteve  me qëllim shfryrjen e trafikut në kryeqytet.

Sipas një itinerari  të hartaur nga bashkia, automjetet që vijnë nga rrugët kryesore si rruga e “Durrësit”, rruga e “Kavajës, ajo e Dibrës do të futen në shesh me një korsi dhe dalin nga sheshi
”Skënderbej” me dy korsi dhe menaxhohen me semaforë.

Në të gjitha rrugët brenda unazës së vogël do të ketë  ndalim qëndrimi  24 orë në të dy krahët e tyre.

Me ristrukturimin e sheshit “Skënderbej” do të ketë dhe disa ndryshime të stacioneve të linjave urbane. Autobuset e linjës Kinostudio – Kombinat  dhe ish-uzina Dinamo-Sharrë  do të qëndrojne tek stacioni përballe teatrit të kukullave.

Linja Tirana e re qëndron në krah të 15 katëshit dhe Muzeut Kombëtar. Linja e Laprakës dhe instituti bujqësor do të qëndrojnë përpara Muzeut Kombëtar,  ndërsa për linjat e tjera nuk ka ndryshuar vendqëndrimi.

Ndonëse do të lejohet qarkullimi i automjeteve, sipas bashkisë punimet  do të vazhdojnë  me ndricimin e sheshit “Skënderbej” dhe vendosjen e spoteve në trotuare, përfundimin e veshjeve të shkallëve tek Muzeu Kombëtar dhe  Pallati i Kulturës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA