Kushtetuesja për Piramidën

10/11/2011 19:50

Gjykata Kushtetuese i ka thënë jo Bashkisë së Tiranës, që kërkonte pezullimin e vendimit të Kuvendit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë të martën, por u shpërnda një ditë më pas me e-mail nga zyra e shtypit e Kuvendit. Në fakt, ndryshe nga ç’nënkupton ky veprim, çështja e kompleksit të ri parlamentar në vendin ku ngrihet sot Piramida nuk është një çështje e mbyllur. Përkundrazi, cështja është me hapur se kurrë.

E thënë me një gjuhë të thjeshtë, Gjykata Kushtetuese, kur rrëzoi kërkesën e Bashkisë së Tiranës u mor me formën dhe jo me thelbin e çështjes. Pra u mor me atë nëse vendimi i Kuvendit, i ashtuquajturi vendim 66, cënon apo jo kompetencat e pushtetit vendor.

Gjykata vëren se vendimi është një akt individual i Kuvendit. Vendimi shpreh vetëm qëllimin për të ndërtuar një kompleks parlamentar. Por, në asnjë moment vendimi i Kuvendit nuk parashikon përjashtimin e Bashkisë së Tiranës nga ushtrimi i kompetencave të saj, që kanë të bëjnë me ndërtimin në vetvete, lejen e ndërtimit, lejen e sheshit etj.

Pra, Gjykata vëren se në vendimin e Kuvendit nuk ka konflikt mes Bashkisë dhe Kuvendit, ndaj nuk ka arsye të pezullojë vendimin. Mirëpo vendimi parashikon se për procedurat e ndërtimit, duhet të miratohet një ligj. Ligj, i cili u miratua më 14 korrik të këtij viti. Kësaj here, Gjykata Kushtetuese duhet të merret me thelbin. Pra, nëse ligji që parashikon procedurat e ndërtimit të kompleksit parlamentar bie apo jo ndesh me kushtetutën. Dhe kërkesa e re, e paraqitur kësaj here nga një grup deputetësh, argumenton se ligji ka uzurpuar kompetenca që i takojnë pushtetit vendor.

Ligji parashikon si organ kompetent për dhënien e lejes së sheshit të ndërtimit, Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës. Por, kërkesa e deputetëve sjell një argument nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, në rastin kur vetë Gjykata e ka cilësuar të papajtueshëm me parimin e decentralizimit atë kompetencë të KRRTRSH-së për të dhënë leje për objekte të rëndësisë së veçantë në qendrat e qyteteve, që studimet urbanistike i miraton vetë.

Në rastin e Tiranës, leja duhej dhënë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës. Po ashtu, ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor është një ligj që kërkon një shumicë të cilësuar, ndërkohë që ligji për procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, ishtë një ligj që u miratua me shumicë të thjeshtë. Mirëpo në atë që quhet “hierarki e akteve normative”, qëndrojnë në fillim ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar, pastaj ligjet e tjera.

Po ashtu, ligji nuk përmend në asnjë moment vlerën e ndërtimit. Sipas deputetëve kjo cënon parimin e sigurisë juridike, sepse lë hapësira të pakufizuara për shpërdorime të fondeve publike. Vijon më pas një argumentim i hollësishëm për dëmet financiare që shkaktohen nga prishja e qendrës ndërkombëtare të Kulturës Pjetër Arbnori. Deputetët besojnë se gjykata kushtetuese do t’u japë të drejtë, për një ligj që nuk u dekretua as nga presidenti i republikës, por hyri në fuqi me heshtjen e tij. Seanca plenare e gjykatës kushtetuese që duhet të zhvillohej më 10 nëntor, u shty për të premten 23 dhjetor.

Top Channel