Itali, huamarrja më e shtrenjtë se kurrë

09/11/2011 15:45

Kostoja e huamarrjes për Italinë arriti ditën e mërkurë një rekord të ri, pasi Kryeministri Silvio Berlusconi informoi se do të japë dorëheqjen vetëm kur disa reforma kyçe të zbatohen.

Norma e interesit të fiksuar në letrat me vlerë 10-vjeçare të qeverisë italiane ka arritur tashmë në 7%, çka përbën interesin më të lartë që Roma duhet të paguajë që prej kalimit në monedhën e përbashkët euro, në vitin 1999.


Defiçiti i lartë buxhetor
dhe frika se Italia mund të jetë vendi i radhës ekonomia e të cilit do të ketë nevojë për një dorëzani europiane, po krijon për momentin kushte aspak të favorshme për Romën zyrtare, e cila ka nevojë absolute për investime, në një kohë kur gjithmonë e më pak investitorë janë të gatshëm të paguajnë për kreditë e Italisë.

Gjermania, sa për të krijuar një ide, emeton letra me vlerë 10-vjeçare me interes prej vetëm 1,73%, për shkak të garancive të mëdha që jep në kthimin e shumës së marrë hua.

”Askush nuk dëshiron t’i japë para një vendi kur dihet që ai vend do t’i përdorë ato thjesht sa për të paguar interesat e kredive të mëparshme. Kjo është njësoj sikur të hedhësh gjak të pastër në një trup të sëmurë”, shprehet eksperti i BBC-së për ekonominë, Robert Peston.

Ditën e martë, Komisioneri Europian për Ekonominë, Olli Rehn, e cilësoi situatën në ekonominë italiane si “shumë shqetësuese” dhe bëri thirrje për zbatimin sa më të shpejtë të reformave të domosdoshme.

Ndërkohë, ndikuar nga frika e një kolapsi italian dhe paqartësisë rreth momentit grek, bursat europiane vazhdojnë të humbin në mënyrë të vazhdueshme vlerë. Bankat kryesore gjermane dhe franceze, si “Deutsche Bank”, “Allianz”, “Commerzbank”, “BNP Paribas” apo “Societe Generale”, regjistruan humbje nga 4-7% të mërkurën.

Në “pikiatë” edhe kuotimi i rrjetit mediatik “Mediaset”, pronë e Kryeministrit Berlusconi, të cilat humbën 10% të vlerës së tyre në vetëm një ditë.

Top Channel