Siri, vijon masakra kundër civilëve

08/11/2011 17:00

14 civilë kanë gjetur vdekjen, mes të cilëve dy gra kanë gjetur vdekjen në protestat anti-qeveritare të ditë së enjte në Siri.

Lajmi njoftohet nga organizatat humanitare siriane të cilat saktësojnë se 9 persona kanë mbetur të vrarë në Homs dhe 5 të tjera në qytete të ndryshme të vendit.

Në Homs, njoftojnë komitetet e shpëtimit të ngritura nga opozita dhe ushtarakët që kanë dezertuar, autoritetet kanë arrestuar dhjetra studentë që kishin dalë në rrugë për të protestuar kundër presidentit, Bashar al-Assad.

Një sulm i ndodhur pranë provincës siriane të Homsit shkatërroi një
naftësjellës të madh, bëri të ditur agjensia shtetërore e lajmeve,
“SANA”. 

Nuk është ende e qartë se cilët ishin autorët e sulmit, i cili nuk shkaktoi viktima, por një re gjigande tymi të zi. Një rrjet opozitar pretendon se dëmi u shkaktua nga predhat e artilerisë së vetë ushtrisë, për të ndëshkuar një zonë opozitare ndaj Bashar al-Assadit, që shërbej prej naftësjellësit.

Nga ana e tij, Damasku zyrtar fajësoi “terroristët” për shkatërrimin. Kriza në Siri ka kontribuar për rritjen e çmimit të naftës në botë, pasi prodhimi i vendit ka rënë nga 340 mijë fuci naftë në ditë, përpara fillimit të konfliktit, në më pak se 120 mijë.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 4 mijë persona kanë humbur jetën në ballafaqimet me forcat shtetërore që prej fillimit të revoltave, dhjetë muaj më parë. Megjithatë, presidenti Assad ka kritikuar raportin, duke e cilësuar si të pabesueshëm dhe të rremë.

Top Channel