Shpallet fajtor mjeku i Xhekson

08/11/2011 01:19

Gjykata e Los Anxheles shpalli fajtor, Conrad Mërrej, mjekun personal të Majkëll Xhekson për vrasjen pa dashje të Mbretit të Pop-it.

Xhekson vdiq më 25 Qershor të vitit 2009 nga një overdozë të medikamentit propofol.

58 vjecari Mërrej, mund të denohet me katër vjet burg si dhe të humbë licensën për të ushtruar profesionin.

Në argumentin e fundit, prokurorët thanë se Mërrej shkaktoi vdekjen e Xhekson nga neglizhenca, duke u mohuar fëmijëve të atin dhe botës mbarë, një gjeni të muzikës.

Avokatet e Mërrej argumentuan se Xhekson vendosi të marrë me vullnetin e tij, dozën vdekjeprurëse, ndërsa mjeku ishte larguar prej dhomës së tij.

Trupit gjykues, që perbehej nga një afrikano-amerikan, gjashtë të bardhë dhe pesë hispanikë iu desh disa ditë për të arritur në këtë vendim.

Jashtë sallës së gjyqit, dhjetëra persona ishin mbledhur duke bërtitur: Fajtor!

Gjatë gjyqit që zgjati gjashtë javë u morën në pyetje 49 persona dhe u shqyrtuan mbi 300 fakte të paraqitura. 

Top Channel