Programi bërthamor i Iranit

08/11/2011 23:59

Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike publikoi raportin prej 25 faqesh për Iranin, sipas të cilit ky vend ka kryer teste të përshtatshme për zhvillimin e armës bërthamore.

Në dokumentin, e cilësuar nga analistët si më i ashpëri, flitet për përpjekje, por në asnjë rast nuk thuhet se Teherani po zhvillon bombën atomike.
Korrespondentja e BBC-së në Vjenë tha se raporti jep informacion të detajuar edhe të ri, se Irani po krijon kompjutera të cilët mund të përdoren për krijimin e armës bërthamore.
 
Disa prej kërkimeve të bëra gjatë viteve 2008-2009 janë shumë shqetësuese.

Raporti nxjerr në pah dimensione ushtarake të programit bërthamor, madje vazhdimin e disa prej aktiviteteve, për të cilat është ndihmuar nga një ekspert i huaj, që ishte në dijeni të këtyre teknologjive, dhe që kishte punuar për programin e armëve bërthamore në vendin e tij.
Mediat flasin për shkencëtarin rus Viacesllav Danilenko.

Përpara publikimit të raportit, Izraeli lëshoi paralajmërimin e rradhës, duke qartësuar se nuk ka nevojë për dritën jeshile të SHBA-së, për të ndërmarrë një sulm kundër impianteve bërthamore të Iranit.

Ndërsa fill pas publikimit të raportit të ANEA-s, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland tha se Uashingtoni do të marrë kohën e nevojshme përpara se ta komentojë. “Nuk jemi të gatshëm për të folur për hapat e ardhshëm”,  shtoi ajo.

Më herët, presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad kritikoi ashpër Agjensinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, ANEA duke thënë se po ndjek një axhendë pro-amerikane.

Top Channel