Duket si raport rutinë që autoritetet shqiptare duhen të paraqesin në komisionin e posaçëm të Bashkimit Europian, por në fakt ndryshe nga herët e kaluara, situata nuk duket në favor të palës sonë.
Si çdo vit, Drejtoria e Aviacionit Civil raporton në Bruksel, nga ku mëson edhe për rezultatin e “provimit”, të cilat pritet zbulohen këtë javë.
Ekspertët e BE-së kanë inspektuar nga afër kushtet sesi operojnë avionët në vendin tonë, sigurinë e aeroportit, detyrat e lëna për drejtorinë e aviacionit civil, kuadri ligjor, e deri te detaje të tjera si administrata, kriteret e punësimit, dhe trajtimi financiar.
Burime nga drejtoria bëjnë të ditur për gazetën “Shqip”, se kushtet e vendosura nga autoritetet e Brukselit janë plotësuar në masën mbi 85 për qind, dhe pikërisht për pjesën e mbetur do të jepet llogari rreth shkaqeve që çuan në mosrealizimin e objektivave.
“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Kriteret e paplotësuar lidhen me kuadrin ligjor, të cilat po mbyllen shpejt, dhe me kushtet financiare të stafit.
BE ka sugjeruar fort që administrata të jetë profesionale dhe me standarde të larta te pagat, por kjo pikë ka hasur në rezistencën e Ministrisë së Financave, e cila kërkon respektimin e hierarkisë te politikat financiare”, bëjnë të ditur burime zyrtare të drejtorisë.
Institucioni shtetëror sqaron se siguria e avionëve është kontrolli i tyre, është funksion i drejtorisë, por me mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga strukturat e Brukselit.
“Nëse një shoqëri ajrore nuk plotëson kushtet, është BE-ja ajo që rekomandon për heqjen e licencës dhe pezullimin e fluturimit për në Shqipëri, ndërsa drejtoria zbaton udhëzimin e kërkuar. Në të kundërt, është drejtoria ajo që mban përgjegjësi për moszbatimin e vendimit të BE-së”, saktësojnë burimet.
Top Channel