Irani shfaq pamjet e avionit të rrëzuar amerikan

08/11/2011 00:00

Televizioni Iranian shfaqi pamjet e një avioni amerikan të telekomanduar,  që sipas Teheranit është goditur nga forcat iraniane dhe është rrëzuar në afërsi të kufirit afgan. 

Pjesa e filmuar u titullua “RQ170- avioni spiun i avancuar” dhe tregonte pamje të ushtarakëve iraniane, të cilët inspektonin avionin, që në pjesët më të mëdha të tij ishte i padëmtuar.

Avioni i njohur si Sentinel apo sic njihet ndryshe “Bisha e Kandaharit” është humbja e parë e këtij lloji për Shtetet e Bashkuara. Burime amerikane vazhdojnë të pretendojnë se shkaku ka qenë një avari, që nuk është shkaktuar nga faktorët e jashtëm.

Zyrtaret amerikanë e pranuan humbjen dhe Pentagoni shprehu shqetësimin se iranianët do të sigurojnë informacion mbi teknologjinë. Edhe NATO tha se javën e kaluar,  një avion i telekomanduar me mision mbi pjesën perëndimore të Afganistanit, kishte humbur.

Të enjten, gazeta prestigjoze “Nju Jork Tajms” raportoi se avioni ishte pjesë e një programi survejimi që fotografonte impiantet e dyshimta bërthamore të Iranit.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Iranin dhe gjithcka kryhet përmes ambasadës së Zvicrës në Teheran. 

Media iraniane raportoi se ministria e Jashtme kishte thirrur përfaqësuesin diplomatik të Zvicrës, për t’i shprehur protestën për shkeljen e hapësirës ajrore të Iranit, nga avioni spiun amerikan.

Por autoritetet iraniane nuk kërkuan vetëm shpjegime, por edhe kompensim nga Uashingtoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA