Ekspozohen pikturat “Pop Art”

08/11/2011 15:35

Një koleksion prej rreth 56 pikturash dhe veprash të piktorit Ilir Tupja është demonstruar në mjediset e Galerisë alternative “Tirana Ekspres”, në kryeqytet.

Teknika e përdorur duket se bazohet kryesisht në stilin “Pop Art”, të bërë të njohur nga artisti amerikan Andy Warhol.

Kolazhet e ndryshme ku spikasin ngjyrat dhe fantazia, apo statujat e vogla të cilat përçojnë tek publiku botëkuptimin e pasur dhe ndjeshmërinë artistike të Tupes, janë disa prej veprave të cilat shpalosin më së miri talentin e personit që i krijoi ato. Me anë të artit, autori kërkon të shijojë një liri të penguar.

10 vjet i janë dashur Ilir Tupes për të realizuar këto punime, pas të cilave qëndron mënyra si ai e sheh realitetin dhe kërkon ta shprehë atë. Kjo duket qartë edhe në disa prej krijimeve ku autori jep përshtypjen sikur ka kërkuar të rebelohet duke grisur telajot e pikturave për të treguar diçka me to.

“Është thjesht një shenjë proteste për të treguar se qenia njerëzore ka kasa që po t’i çash nga brenda tregojnë të vërtetën”, shprehet piktori.

Ilir Tupja është një piktor autodidakt, i cili e nisi karrierën e tij artistike me një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve në vitin 1996. Stili i përdorur ka evoluar nga ai ekspresionist që dominonte në fillim, në Pop Art.

Ekpozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 12 Nëntor.

Top Channel