Sekuestrohet 1 kilogramë drogë

06/11/2011 00:00

Një operacion policor i koduar me emrin “Tris” ka çuar në arrestimin e dy të rinjve nga Shkodra si dhe bllokimin e 1  kilogrami lëndë narkoktike të dyshuar si kokainë dhe heroinë.

Në orën 00.30 të së dielës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Jetmir Hallunaj, 28 vjeç, banues në Shkodër dhe Klodian Shllaku, 27 vjeç, banues në Dajç të Shkodrës. Gjatë një kontrolli të ushtruar në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, në automjetin tip Benz me targa AA 381, në një kuti kartoni të vendosur pas sediljes së shoferit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy pako të mbështjella me natriban.

Njëra nga pakot kishte peshën 527 gramë dhe dyshohet se përmban lëndë narkotike të llojit kokaine, ndërsa tjetra me peshë 633 gramë lëndë narkotike të llojit heroinë.

Në bashkëpunim me policinë e Shkodrës në shtëpinë e Shllakut u gjetën dy armët pistoletë dhe një automati, ndërsa në banesën e Hallunajt u gjet sasia prej 123 fishekësh model 54.

Drejtoria e policisë së qarkut Durrës deklaroi se po punohet në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm.

Top Channel