UNESCO në vështirësi për fonde

04/11/2011 19:40

UNESCO ka dhënë alarmin për vështirësi në financimin e projekteve të saj për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në vende të ndryshme të botës, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për pezullimin e fondeve përkatëse për organizatën.

Lajmi njoftohet nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova. Bokova tha për gazetën franceze, Le Monde se vështirësi do të hasin jo vetëm projektet e reja, por edhe ato aktuale. Ajo tha se përvec projekteve që do të mbesin pa realizuar, do të preken edhe fondet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në disa vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli vendosën të pezullojnë dhënien e fondeve përkatëse për UNESCO-n pas anëtarësimit të Palestinës si shtet sovran në këtë organizatë. Palestina u pranua në UNESCO ditën e hënë pas votimit nga vendet anëtare. Vota ngjalli reagime të forta në Uashington dhe Tel Aviv, që pasuan pak orë më vonë me vendimet përkatëse për ndërprerjen e fondeve për organizatën.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli japin rreth 70 milion dollarë në vit për UNESCO-n. Shuma në fjalë përbën rreth 20 përqind të fondit të përgjithshëm të organizatës.

Top Channel