Prej 12 vjetësh hapësira ajrore e Kosovës administrohet nga NATO dhe ka qenë e mbyllur për trafikun ajror civil, ndaj Aleanca ushtrake kërkron t’i japë fund kësaj gjendjeje.
“Kjo situatë vazhdon që prej vitit 1999. Pra, u bënë 12 vjet që jemi në këtë situatë dhe NATO tani po ngulmon në gjetjen e një zgjidhjeje. Është koha që hapësira ajrore e Kosovës të hapet”, ka deklaruar Giuseppe Talamo, kolonel-leitnant, NATO.
Kosova nuk ka të drejtë ta menaxhojë hapësirën e saj ajrore sepse nuk njihet nga të gjitha shtetet. Kjo ka bërë që vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, të hyjnë në një betejë se kush do të jetë vendi fitues, betejë pas të cilës qëndrojnë edhe përfitimet ekonomike.
“Aktualisht trafiku ajror kalon në Shqipëri e Maqedoni, pa kaluar në hapësirën e Kosovës. Ai përbën 20 për qind të trafikut total ajror që qarkullon në Shqipëri gjatë vitit”, ka deklaruar Ervin Mazniku, drejtor i Aviacionit Civil.
Zyrtarisht, tani po konkurrojnë Maqedonia, Shqipëria dhe Autoriteti Hungarez i Kontrollit. Vetë Kosova nënkupton se preferon zgjidhjen shqiptare.
“E kemi bërë të qartë se Kosova është e interesuar të hapë hapësirën ajrore, me një mik të ngushtë dhe anëtar të NATO-s”, ka pohuar Dritan Gjonbalaj, nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës.
Por fjala e fundit i takon NATO-s, që nuk përjashton edhe një zgjidhje me shumë fitues.
“Sigurisht, kjo nuk është vetëm një zgjidhje teknike por edhe politike. Në Bruksel javën e parë të dhjetorit do të ketë edhe një takim tjetër mes vendeve të interesuara, ku do të flitet dhe do të vendoset se cila do të jetë zgjidhja përfundimtare. A do të kemi një vend të vetëm që do menaxhojë hapësirën ajrore të Kosovës, apo do kemi një bashkim vendesh”, ka nënvizuar koloneli Talamo.
Nëse Shqipëria nuk do të arrijë të marrë të drejtën për të menaxhuar hapsirën ajrore të Kosovës, jo vetëm që s’përfiton të ardhura shtesë, por përkundrazi paguan kosto, pasi një pjesë e trafikut ajror që sot kalon përmes vendit tonë dhe paguan taksat e shërbimit, do të kalojë nga Kosova.
Top Channel