Perez: Sulmi ndaj Iranit po afron

04/11/2011 21:05

Opsioni ushtarak ndaj Iranit, nga ana e Izraelit dhe vendeve të tjera, është gjithmonë e më afër.

Kështu ka deklaruar mbrëmjen e së premtes presidenti izraelit, Shimon Peres, në një intervistë për një televizion privat lokal.

“Shërbimet e sigurisë të të gjitha vendeve e kuptojnë se koha nuk pret dhe për rrjedhojë paralajmërojnë drejtuesit respektivë”, ka thënë Peres.

“Mesa duket, Irani po u afrohet armëve bërthamore. Gjatë kohës që ka mbetur, duhet t’u kërkojmë vendeve të botës të reagojnë”, ka shtuar ai.


Hipotezat e planifikimit të një sulmi mbi Iranin
u publikuan pak ditë më parë në faqet e gazetës britanike “The Guardian” dhe iu atribuarn Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Por një ditë më vonë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaroi se Aleanca nuk ka ndërmend të bëjë ndërhyrje ushtarake në Iran.

Kundër këtij opsioni doli Kina, e cila hodhi poshtë përdorimin e forcës, të cfarë do forme qoftë ajo, kundër Iranit për programin e tij bërthamor.

Marrëdhëniet mes Iranit dhe Perëndimit, në vecanti Shteteve të Bashkuara, u tensionuan pasi FBI zbuloi një komplot iranian për vrasjen e ambasadorit saudit në Uashington.


Irani i hodhi poshtë akuzat
e Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar ato si një sajesë të vetë administratës amerikane.

Por presidenti Barack Obama reagoi pas akuzave të Iranit për shpifje duke deklaruar se Uashingtoni i ka të gjitha provat për të vërtetuar orkestrimin e atentatit ndaj ambasadorit saudit.

Top Channel