Irlanda tërheq ambasadën nga Vatikani

04/11/2011 09:35

Republika e Irlandës lajmëroi për tërheqjen e ambasadës së saj nga Vatikani, në atë që është interpretuar nga mediat si një lëvizje e ardhur pas një skandali abuzimi të një prifti katolik me disa të mitur.

Megjithatë, burimet zyrtare theksojnë se kjo lëvizje motivohet vetëm nga një paketë shtrënguese masash, për të korrigjuar defiçitin e lartë në vend. Sipas raportimit, nga buxheti i shtetit do të kursehen 1,25 milion euro në vit, nga mbyllja e përfaqësive pranë Selisë së Shenjtë, në Iran dhe Timorin Lindor.

Më parë gjatë vitit, një klerik i lartë në qytetin e Korkut përfundoi nën pranga, si i dyshuar në një skandal seksual me minorenë, por Vatikani e ka kundërshtuar ashpër lëvizjen e Dublinit, duke theksuar se arrestimi është kryer pa patur prova të mjaftueshme.

Burime nga Vatikani, i cili ndonëse kufizohet brenda qytetit të Romës gëzon statusin e një shteti sovran, bëjnë të ditur se i dërguari diplomatik në Irlandë do të thirret në qendër, për të biseduar mbi mënyrën se si do të përgjigjet Selia e Shenjtë. Është e mundur që Vatikani të tërheqë gjithashtu të ngarkuarin me punë në Dublin.

Top Channel