Amy Winehouse nuk u vetëvra

04/11/2011 13:20

Disa muaj pas vdekjes tragjike Amy Winehouse, nëna e saj mposht dhembjen në një intervistë të dhënë për një të përditshme amerikane, ku pretendon se pavarësisht vështirësive me varësinë nga alkooli dhe droga, këngëtarja ishte e mbushur me dëshirë për të jetuar dhe nuk mund të jetë vetëvrarë.

Ekspertiza mjekësore provoi se kishte qenë mbidoza e alkoolit në gjak, ajo që kishte shkaktuar ndalimin e funksionimit të zemrës, duke sjellë eventualisht edhe vdekjen e Winehouse.

”Nuk ishte një vdekje e vetëshkaktuar. Unë e njihja më mirë se kushdo vajzën time. Ajo e kishte kaluar momentin e saj të vështirë dhe ishte shumë optimiste për rehabilitimin dhe albumin e ri që do të lëshonte”, thotë 56-vjeçarja Janis Winehouse.

”Ajo nuk dëshironte të vdiste pasi ishte shumë e dashuruar pas jetës. Kishte ende dhe shumë gjëra të tjera që dëshironte të arrinte. Ndryshe nga sa mund ta mendoni, ajo ishte shumë e fortë mendërisht dhe psikologjikisht. Pavarësisht varësisë nga alkooli, ajo asnjëherë nuk pinte në sytë e familjarëve. Jam e sigurt që nëse do të kishte jetuar edhe pak, do t’i kishte kaluar një herë e përgjithmonë të gjithë ato probleme”.

Janis konfirmoi gjithashtu se të gjitha të ardhurat e grumbulluara nga albumi i papublikuar i Amy-t do të jepen për bamirësi.

Në ekzaminimin “post-mortum”, në gjakun e 27-vjeçares u gjet një sasi prej 416 miligram alkool për decilitër gjak. Mjaftojnë një sasi prej 350 miligram për të shkaktuar vdekjen. Ajo kishte konsumuar tre shishe vodka në pak orë në natën që ndërroi jetë, duke mbingarkuar përnjëherë një trup që kishte tre javë pa konsumuar asnjë dozë alkooli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA