Aksidentohen për vdekje 3 familjarë

04/11/2011 00:00

Tre persona nga e njëjta familje humbën jetën dhe një tjetër u plagos dhe ndodhet në gjendje të rëndë, si pasojë e një aksidenti të ndodhur në rrugën Fushë Krujë-Vlorë.

Familjarët po udhëtonin nga fshati Bilaj i Krujës në drejtim të Fushë Krujës dhe kur mjeti tip “Ford”, pa targa, po hynte nga një aks dytësor në rrugën nacionale u godit nga një autobus me targa të Durrësit.

Të parët në vendin e ngjarjes ndërhynë drejtuesit e mjeteve që ishin pranë, të cilët u përpoqën të nxirrnin nga makina e dëmtuar rëndë të plagosurin dhe tre trupat pa jetë.

Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe policia me shërbimin zjarrfikës, që bënë të mundur sharrimin e pjesëve të dëmtuara të automjetit dhe nxjerrjen e të aksidentuarve. I plagosuri u dërgua nga policia në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Policia nisi hetimet për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, që ndodh në një segment rrugor tepër të ngarkuar me aksidente të ngjashme për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur lidhëse në rrugë dhe sinjalistikës.

Policia pritet të nxjerrë edhe arsyet dhe përgjegjësit e këtij aksidenti, ndërkohë që drejtuesi i autobusit u shoqërua në komisariat. Nga pasagjerët e autobusit të përfshirë në aksident nuk pati të dëmtuar.

Aksidenti i sotëm është i ngjashëm me atë të ndodhur në orët e para të 14 tetorit, ku një familje e tërë nga fshati Gjepalaj i Shijakut u shua në afërsi të Durrësit.

Automjeti me të cilin udhëtonin katër persona, dy bashkëshortë dhe fëmijët e tyre, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.

Aksidenti ndodhi gjatë orëve të natës, por vetëm në mëngjes tragjedia u zbulua nga kalimtarët, që panë automjetin e përmbysur.

Top Channel