Edhe pse ka dalë në kinema prej pak ditësh dhe nuk ka korrur ende mirë fitimet, filmi 3D “Aventurat e Tintin: Sekreti i Njëbrirëshit” duket se do të ketë një episod të dytë.
Shkrimtari i njohur anglez Anthony Horowitz ka deklaruar se problemi i vetëm është zgjedhja mes shumë historive të shkruara që kanë si subjekt gazetarin kurajoz.
Regjia e prodhimit kinematografik të novelës grafike do të jetë sërish në duart e legjendarit Steven Spielberg.
Horowitz, i cili do të përgatisë skenarin, ka bërë të ditur se historia e episodit të dytë është në diskutim e sipër.
“Se cila do të jetë historia, kjo është ende duke u diskutuar. Unë jam takuar me producentët dhe regjisorët dhe kemi biseduar për idetë dhe skenat e aksionit”, ka deklaruar Horowitz.
Shkrimtari, i mirënjohur për sagën e agjentit sekret adoleshent Alex Rider, është shprehur se aktualisht po përpiqet të shkruajë një histori të bazuar në novelën e Herge që t’u pëlqejë të gjithëve dhe po organizon skenat e aksionit.
“Aventurat e Tintin: Sekreti i Njëbrirëshit” aktualisht është në majat e klasifikimeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe.
Më herët, nëpër forume, është folur se episodi i dytë do të bazohet në historinë e “Të Burgosurit e Diellit” dhe “Shtatë Sferat prej Kristali”.
Top Channel