Kukës, përplasje me policinë

29/10/2011 19:40

Banorët e fshatit Mamëz ne Kukës janë perleshur me forcat e ndërhyrjes së shpejtë të dërguara atje, pasi banorët bllokuan me forcë punimet e një firme private në zonë që po punon për hapjen e një miniere.

Një ditë pas përplasjes, kur edhe disa persona u shoqëruan nga forcat e rendit, banorët kanë dalë sërish në rrugë dhe deklarojnë se nuk do lejojnë askënd të punojë.

Kompania private do hapte rrugën për një minierë hekurnikeli në zonë, por banorët thonë se ajo shkeli cdo marrëveshje duke shkatërruar tokat dhe rrugët e fshatit.

“Me këtë firmë kemi debatuar dhe dokumentat që i kemi dhënë ajo i ka prishur. Ka prishur marrëveshjet me ne”, thotë një prej banorëve protestues.

“Kemi biseduar me firmën për mbetjet inerte, e kemi arritur një marrëveshje të noterizuar, por asgjë nuk është zbatuar”, shprehet një tjetër.

Banorët akuzojnë edhe kryetarin e komunës se ka ushtruar dhunë dhe ka qëlluar me armë zjarri ndaj tyre.

“Ai ka bërë një skandal të tmerrshëm, ka qëlluar me pistoletë tek shtëpia ime kur ishin fëmijët dhe bagëtia. Plumbi ka rënë me rikoshetë”, deklaron një prej banorëve.

Policia ka shoqëruar dy banorë të zonës si pjesëmarrës në veprimet penguese ndaj kompanisë private dhe kjo ka bërë që ata të qëndrojnë me orë pranë mjeteve të rënda për t’i penguar të punojnë.

Top Channel