The Expendables 2, vdes dublanti në sheshxhirim

28/10/2011 22:40

Tragjedi gjatë xhirimeve të filmit të Silvester Stalone, The Expendables 2 në Bullgari. Një dublant në sheshxhirim ka gjetur vdekjen si pasojë e një shpërthimi shkaktuar nga lëndët eksplozive dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Dublanti, emri i të cilit nuk bëhet publik, mësohet se ishte duke punuar për xhirimin e një skene të filmit me lëndë eksplozive të cilat kanë shpërthyer, sipas të gjitha gjasave aksidentalisht. Personi tjetër i plagosur, identiteti i të cilit nuk publikohet, është shoqëruar në gjendje të rëndë në spitalin e Sofjes.

Tragjedia ndodhi kur stafi xhirues i The Expendables 2 ndodhej rreth 15 kilometra larg kryeqytetit bullgar për xhirimin e një skene të filmit.

Autoritetet bullgare nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe nisën
marrjen në pyetje të pjesëtarëve të tjerë që merrnin pjesë në xhirime.

Dublantët janë personat që rrezikojnë më shumë gjatë xhirimeve, sidomos tek filmat aksion, pasi në cdo skenë të rrezikshme janë ata që zëvendësojnë aktorët protagonistë.

The Expendables 2 është vazhdim i serisë së parë, ku bëhet fjalë për një grup ish-ushtarakësh profesionistë mercenarë, të cilët ndërmarrin operacione kundrejt pagesave të majme. Në film luajnë emrat më të njohur të zhanrit të aksionit, si Silvester Stalone ( që është edhe producent), Arnold Shvarceneger, Brus Uillis, Dolf Lundgren, Xhet Li, Cuk Norris dhe Zhan Klod Van Dam.

Top Channel