Shndërrimet e personazheve të Big Brother

27/10/2011 19:10

Personazhet pjesëmarrës në Big Brother janë ngahera tabelë qitjeje për thashethemet e komentet.

Duke mos e lodhur shumë fantazinë secili prej tyre është përfolur për formën fizike dhe veshjen. Eksperienca e “reality shoë” ka sjellë përfitime jo vetëm për katër fituesit e edicioneve që janë zhvilluar deri tani, por për shumicën e pjesëmarrësve.

Fama e fituar i ka bërë të kenë një look më simpatik, të zgjedhin veshje më cilësore e herë pas here ndonjë qethje më të fisme.

Milioneres së fundit në Shqipëri iu deshën 100 milionë lekë që të fillonte të vishej në mënyrë më të paraqitshme. Gjatë pjesëmarrjes së saj në spektaklin e njohur veshja ishte më shumë se e lënë pas dore, madje dhe në finalen e madhe kur ajo do të rrëmbente çmimin e madh, fustani i saj ngjante me një perde antiplumb. Por, që në fillim u duk se sa e kujdesshme ishte Ermela Mezuraj, sidomos po të kujtojmë xhupin tipik dhe shapkat e pamungueshme në modelin e përshtatshëm për larje oborri.

Sigurisht që minimume historike ka shënuar edhe Neda Karafili. Flokëkuqja e akuzuar për mostolerim të ujit, sapunit dhe derivateve që kur është larguar nga emisioni së bashku me të dashurin duket se po merr veten pak nga pak. Tashmë në dalje publike ajo po preferon më shumë fustane, duke u larguar nga tutat me ngjyrë fuksia.

Një pjesëmarrëse që ishte sa për dy kur u shfaq në Big Brother ishte dhe Julinda. Le të themi që zonjusha ishte zyrtarisht anëtare e klubit ekskluziv të mbipeshës, por pas daljes forma e saj fizike është përmirësuar në përmasa apokaliptike. Julinda ka fituar famë dhe ka humbur shumë kilogramë.

Personazhi të cilin mund ta kritikosh për shumëçka përjashto garderobën, është Mirjeta. Ajo do të mbahet mend si butiku i shtëpisë pasi shumica e konkurenteve të edicionit ku ajo merrte pjesë visheshin me rrobat e saj.

Meqë jemi tek përshtypjet pozitive duhet patjetër të përmendim Enxhi Kamenicën. Ajo nuk ishte mirëfilli konkurrente, por ishte goxha pamje për tu ndjekur në ekran. Korçarja me siguri do të jetë një nga portretet më të mirë që janë futur brenda asaj shtëpie.

Tani duhet të përmendim patjetër edhe elementet karakteristike të të katër edicioneve të Big-ut.

Nëse do të kishte një muze për shtëpinë më të famshme në Shqipëri, bereta e Jetmirit do të qëndronte në hyrje, ndërsa posteri kryesor do të ishte tatuazhi në kraharorin e Najadës, alias Noçe. Megjithëse kjo e fundit në fillim mund të themi që kishte floket e një të arratisuri nga burgu i sigurisë së lartë. Tashmë fama e ka bërë akoma më simpatike.

Mbas Nedës, dikush tjetër që torturoi ata me stomak të dobët ishte dhe Klaudia. Ngjyrat, prerjet dhe format e veshjeve të saj, zakonisht shoqëroheshin me reklamime për “kujdes ndaj të miturve”.

Legjendare do të mbeten edhe baluket e Bjordit që përcaktuan një brez të tërë. Qethjet e djaloshit vunë në pozitë të vështirë parukierë e berberë nëpër Shqipëri, të cilët u gjetën të papërgatitur për modelin “Bjordi i Adelës”.

Një tjetër prerje flokësh e cila është po aq karakteristike sa kreshta e mbretit luan është kaçurreli i Marjelit. Djali që “nuk e nxorri luanin” shfaqi për publikun një tufë simpatike me kaçurrela bionde që do shoqërojnë makthe dhe ëndrra për shumë vite në vazhdim.

Top Channel