Sir Elton John vijon me intensitet aktivitetin e tij të bamirësisë për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga sëmundja e shekullit, SIDA. Për të dhjetin vit me radhë është mbajtur një gala e madhe për të mbledhur të holla në Nju Jork.

Nëpërmjet fondacionit të tij, këngëtari ka dhënë jo pak kontribut në këtë drejtim prej vitit 1992 kur Elton John themeloi “AIDS Foundation”.

Këngëtari britanik e themeloi fondacionin e tij 10 vjet më parë me tre qëllime kryesore: për të nxitur programe për t’i ardhur në ndihmë parandalimit të SIDA-s; për të eliminuar sa të mundej stigmatizimin dhe diskriminimin e personave të prekur nga kjo sëmundje dhe sidomos për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga SIDA në mënyrë që ata ta kenë sa më të lehtë përballjen me këtë sëmundje.

“Jemi në një moment të madh reflektimi dhe unë bëj thirrje nga Nju Jorku që t’i vijmë në ndihmë kësaj pjese të shoqërisë. Ne japim çmime çdo vit për ata që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim. Ne i falënderojmë shumë të gjithë ata që janë solidarizuar”, ka theksuar këngëtari në fjalën e tij si drejtues i fondacionit.

Në vitin 1993 John themeloi edhe filialin britanik të këtij fondacioni i cili edhe në Britani do të kishte doemos të njëjtin qëllim. Të dyja organizatat kanë mundur të grumbullojnë kështu mëse 220 milion dollarë prej atëhere, të holla të cilat kanë shkuar në të gjitha vendet që e vuajnë më së shumti këtë problem, kryesisht në Afrikë dhe Azi.

“99 % e të hollave të grumbulluara kanë shkuar direkt për këta njerëz. Edhe të hollat që ju paguat për të blerë një biletë sot këtu do të shkojnë për ta”, ka përfunduar fjalën e tij këngëtari Elton John, njëherazi themelues dhe drejtues i këtij fondacioni.

Top Channel