Putin: Pamjet me Gaddafi-n, të neveritshme

26/10/2011 19:00

Kryeministri rus Vladimir Putin i ka cilësuar si të neveritshme pamjet e momenteve të fundit të jetës së Gaddafi-t, të transmetuara në televizione.

“Pothuajse të gjithë anëtarët e familjes Gaddafi janë vrarë, kufoma e tij u tregua në të gjitha kanalet televizive botërore, ishte e pamundur të shihje pa neveri”, ka deklaruar Putin.

Kryeministri ka komentuar edhe fundin e diktatorit libian, por ka shmangur deklaratat politike lidhur me të.

“Ai ishte i mbuluar me gjak, ishte ende gjallë, por megjithatë u vra”, është shprehur presidenti i ardhshëm i Rusisë.

Koloneli Muammar Gaddafi u vra nga rebelët më 21 tetor, teksa përpiqej të largohej përmes një kanali nga qyteti i Sirtes.


Njeriu që qeverisi Libinë
për 42 vjet u varros të martën, në mënyrë të fshehtë dhe në një lokalitet sekret në shkretëtirë.

Kryengritësi që pretendon se ishte ekzekutori i tij deklaroi në një video se e kishte vrarë kolonelin për t’i dhënë ndëshkimin e merituar.

Top Channel