Guvernatori, sërish Fullani?!

26/10/2011 00:00

Axhendë e ngjeshur në mbledhjen e radhës së qeverisë, ku u diskutua për
buxhetin, projektet e Shqipërisë dixhitale, shkurtimin me 5% të
shpenzimeve operative për agjensitë qeveritare, privatizimin e
Albtelekomit, kandidaturat e qeverisë për bordin e bankës së Shqipërisë,
shfrytëzimin hidrik të kaskadës së Vjosës dhe dy koncesione
hidrocentralesh.

Për bordin e Bankës së Shqipërisë, qeveria propozoi së pari Ardian Fullanin, guvernatorin aktual të Bankës, për të cilin Berisha u shpreh se “ka drejtuar Bankën e Shqipërisë, në një nga kohërat më të vështira për financat europiane dhe botërore”.

Por duke rikonfirmuar Ardian Fullanin në Bordin e Bankës, kryeministri hodhi një pikëpyetje të madhe për guvernatorin e ri, duke propozuar kryetaren e Agjencise se Mbikqyrjes Financiare, Elisabeta Gjonin, të cilën e vlerësoi për një kontribut shumë të rëndësishëm në krijimin dhe drejtimin e Agjencisë.

Së fundi, kryeministri propozoi Petraq Milon, sipas Berishës, “një nga personalitetet e shquara të financave të vendit”.

Pesë anëtarë të tjerë të bordit do të propozohen nga Parlamenti dhe një nga vetë Bordi. Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë do të zgjidhet njëri prej 9 anëtarëve të rinj të Bordit.

Sa i takon buxhetit, kryeministri tha se ai do të jetë më i madhi i hartuar ndonjëherë. Por, njoftoi se, me përjashtim të Agjensive të zbatimit të ligjit, tërë agjensitë e tjera do të kenë 5% shkurtime të shpenzimeve operative.

“Janë bërë përpjekje serioze për t’i bërë ato sa më të ekonomizuara, por prapë ju garantoj se ka mënyra për të reduktuar ato edhe më shumë”, tha Berisha.

Nga ana tjetër kryeministri konfirmoi se vitin e ardhshëm do të ketë sërish rritje rrogash dhe pensionesh, pavarësisht krizës globale të borxheve.

“Dinamizmi i ekonomisë shqiptare na bën të mundur që të qëndrojmë sërish në premtimin tonë të rritjes së rrogave dhe të pensioneve”, theksoi Berisha.

Kryeministri tha se buxheti i ardhshëm do të financojë projektet e Shqipërisë dixhitale, reformat në arsim dhe shëndetësi.

Top Channel