Fondi, Merkel mbështetet nga Bundestagu

26/10/2011 18:10

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka fituar mbështetjen e Parlamentit gjerman për të forcuar Fondin Financiar Evropian të Stabilitetit.

Megjithatë, pas këtij vendimi të Bundestagut, Merkel ka deklaruar se ka ende shumë probleme që duhen zgjidhur.

Teksa deputetët bëheshin gati të votonin në Berlin, Merkel tha se ia vlen të rrezikosh me rritjen e kapaciteteve të fondit, me qëllim që Gjermania dhe Evropa të kenë një të ardhme të sigurtë.

“Bota i ka kthyer sytë nga Gjermania dhe Evropa. Ato po përpiqen të shohin nëse ne jemi gati dhe në gjendje të marrin përsipër përgjegjësitë gjatë krizës më të keqe që ka përfshirë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore”, deklaroi Merkel.

Zonja Merkel fitoi një mbështetje bindëse përsa i përket planit për përforcimin e kapaciteteve të FFES-së në 440 miliardë euro.

Më vonë, kur mbërriti në Bruksel, kancelarja u tha gazetarëve se: “Ka ende shumë probleme që duhet të zgjidhen dhe shumë negociata për të bërë”.

Ekonomitë kryesore të BE-së druhen se kriza e borxhit grek mund të përhapet edhe në Itali e Spanjë.

Teksa vëmendja e Evropës është kthyer tek Italia dhe borxhi i saj publik, kryeministrit Silvio Berlusconi i është kërkuar nga homologët evropianë një plan i detajuar reformash ekonomike.

Liderët e Bashkimit Europian janë mbledhur për një samit emergjence në Bruksel, i projektuar për të finalizuar detajet e planit për frenimin e krizës së borxhit të Eurozonës.

Top Channel