SHBA-Kore e Veriut, hapa pozitivë

25/10/2011 00:00

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara kanë deklaruar se takimi i parë me
përfaqësuesit e Koresë së Veriut në Gjenevë ishte i dobishëm.

Bisedimet synojnë të cojnë në rifillimin e negociatave për cështjen bërthamore të Penianit. Ky është takimi i dytë që u zhvillua në më pak se 3 muaj.

Kryenegociatori amerikan, Stephen Bosworth tha se bisedimet po lëvizin në drejtimin e duhur dhe se të dyja palët kanë ngushtuar diferencat e tyre.

Bosworth, që është përfaqësuesi i posacëm i Shteteve të Bashkuara për politikën koreano-veriore, nënvizoi gjithashtu se qëllimi i Uashingtonit është të gjejë një “bazament solid” mbi të cilin të rinisin bisedimet dy dhe shumëpalëshe me Penianin.

“Ne do të vazhdojmë të përpiqemi t’i ngushtojmë sa më shumë qëndrimet tona të ndryshme”, tha zyrtari amerikan për gazetarët në Gjenevë.

Bisedimet gjashtëpaleshe ku përfshihen Koreja e Veriut, ajo e Jugut, Kina, Rusia, Japonia dhe SHBA, u ndërprenë në prill të vitit 2009, pas bojkotit të Penianit.

Një muaj më vonë regjimi i liderit Kim Jong il testoi armën e dytë bërthamore, veprim ky që ngriti tensionet në gadishullin korean.

Sipas BBC, edhe pse dy palët deklarojnë se duan të kthehen në negociata, ato nuk bien dakord mbi afatet.

Top Channel