Vatikani: Liria e tepërt shkaku i krizës

24/10/2011 18:10

Vatikani ka kërkuar një reformim të sistemit ndërkombëtar financiar dhe monetar, si dhe një autoritet publik universal që të qeverisë financat.

Gjithashtu, Selia e shenjtë ka kërkuar “shumanshmëri” jo vetëm në diplomaci, por për një zhvillim të qëndrueshëm dhe paqësor.

Gjithashtu, shteti i vogël në zemër të Romës ka denoncuar rrezikun e një brezi teknokratësh, që injoron të mirën e përgjithshme.

Vatikani ka kërkuar më tej që ekonomia dhe financa të jenë prioritetet e para për të gjitha klasat politike në botë, si dhe ka propozuar krijimin e një banke qendrore botërore.

Por mbi të gjitha, selia e Papa Benediktit ka kritikuar ashpër lirinë e tepërt, e cila sipas saj është shkaku kryesor për krizën.

“Kësaj duhet t’i përgjigjemi duke krijuar një autoritet publik botëror. Nëse nuk krijohet një autoritet i tillë, bota e globalizuar rrezikon të bëhet një “Kullë Babele””, ka thënë Selia e shenjtë.

Kriza aktuale ekonomike dhe financiare, sipas shtetit katolik, është një mësim për drejtësinë dhe paqen.

“Është efekti shkatërrues i ideologjive liberale”, ka thënë Vatikani, në një dokument të tijin të publikuar me titullin “Për një reformë të sistemit financiar”.

Top Channel