Të indinjuarit, 130 të arrestuar në Cikago

24/10/2011 17:15

Manifestimet e të indinjuarve që kulmuan të shtunën janë shoqëruar me një valë arrestimesh në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, në vecanti në Cikago ku policia ndaloi rreth 130 persona.

Ishte një manifestim paqësor në një park në qendër të qytetit, por urdhërin e policisë për t’u shpërndarë, protestuesit e refuzuan dhe për rrjedhojë shumë prej tyre u arrestuan.

Edhe në Filadelfia policia arrestoi rreth 15 persona, që kishin ngritur kampe përgjatë një rruge në qendër të qytetit.

Manifestues u mblodhën edhe në Majemi, por këtu gjërat shkuan më mirë, si dhe në Albani, shteti i Nju Jorkut, ku policia qëndroi vetëm për të vëzhguar.

Ndërsa në Orlando të Floridës, të ndaluarit ishin 19 dhe në Cincinati të Ohajos rreth 10 vetë. Edhe ata kishin refuzuar të braktisnin sheshin ku ishin mbledhur.

E njëjta gjë ndodhi në Santa Ana të Kalifornisë, ku policia ndaloi vetëm katër persona. Ndërsa në Australi, policia e Sidnejit boshatisi një kamp të ngritur nga një grup i madh manifestuesish.

Forcat e rendit vunë në pranga rreth 40 persona nën akuzën e rezistencës ndaj zyrtarëve publikë, bënë të ditur burime policore dhe burime pranë manifestuesve.

Protesta e grupit “Pushtoni Sidnejin”, e cila kishte nisur që prej një jave në Sheshin Martin, u mbajt kundër pushtetit dhe pabarazive sociale.

Top Channel