Somalia: Ndërhyrja keniane është pushtim

24/10/2011 16:40

Presidenti i Somalisë, Sheikh Sharif Ahmed, protestoi ashpër kundër agresionit ushtarak të Kenias, të cilin e cilësoi si një shkelje të hapur të sovranitetit të vendit dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet ndërkombëtare.

Një javë më parë, trupat keniane tejkaluan kufirin e fqinjëve, në ndjekje të militantëve të grupimit islamik “Al-Shabab”, përgjegjës për disa rrëmbime dhe vrasje në territorin kenian.

Najrobi zyrtar deklaroi në momentin e nisjes së operacionit se ai ishte bërë me miratimin e autoriteteve somaleze, por me sa duket, diçka e tillë nuk rezulton të jetë e vërtetë.

Për më shumë se dy vjet, trupat e presidentit Ahmed, janë përfshirë në një luftë të përgjakshme me militantët. Qeveria e përkohshme e drejtuar prej tij ka autoritet vetëm mbi një zonë të vogël përreth kryeqytetit Mogadishu, i rrethuar nga forcat e “Al-Shabab’, që kanë në dorë pothuajse të gjithë vendin.

Duke folur përpara gazetarëve, Ahmed shtoi se do të ishte e mirëpritur ndihma keniane në logjistikë dhe stërvitjen e ushtarëve vendas, por se autoritetet janë kundër ndërhyrjes ushtarake në tokën somaleze.

Besohet se Mogadishu ka zgjedhur këtë gjuhë të ashpër, nga frika se mos ndërhyrja keniane do të çojë në deklarimin e pavarësisë së krahinës së Jubalandit, ku jetojnë pakica keniane. Prej kohësh, krahina e pretenduar nga të dy vendet ka qenë një mollë sherri mes Najrobit dhe Mogadishus.

Ndërkohë, trupat keniane kanë avancuar thellë në territorin somalez, duke rrethuar qytetin e Kismajos, një qendër e rendësishme ekonomike dhe politike e “Al-Shababit”.

Top Channel