Libi, ceremoni për deklaratën e clirimit

23/10/2011 00:00

Autoritetet e përkohëshme qeverisëse në Libi, ashtu sic edhe ishte njoftuar më parë, u mblodhën në Bengazi për të mbajtur ceremoninë zyrtare të shpalljes së clirimit të vendit.

Autoritetet e përkohëshme zgjodhën Bengazin për të shpallur deklaratën e tyre, pasi nga ky qytet nisën protestat e para kundër regjimit të Gadafit, në ditët e para të këtij viti.

Zv/presidenti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Abdul Hafiz Goga ishte i pari që mbajti fjalën para mijëra personave të mbledhur në sheshin qendror të Bengazit ku u shpall clirimi i vendit.

“Jini krenarë, jini libianë të lirë nga kthetrat e Gadafit”, nisi fjalën e tij Goga.

Ndërkohë, kreu i KKT-së, Abdel Jalil bëri thirrje që të shmanget dhuna dhe njerëzit të përgatiten për tranzicionin paqësor drejt demokracisë.

“Mendoni për humbjet njerëzore, mendoni për sakrificat që bëmë, mendoni për rindërtimin e vendit. Tashmë duhet shmangur dhuna”, tha Jalil.

Deklarata e clirimit u njoftua pak orë pas vrasjes së ish-diktatorit, Muamar Gadafi, ditën e enjte.

“Ligji islamik do udhëheqë Libinë”

Kreu i Këshillit Tranzitor në Libi, Abdel Jalil, në fjalimin e tij para popullit libian në qytetin e Bengazit, përvec deklarimit të clirimit të plotë të vendit, premtoi edhe se ligji islamik, do të jetë baza e ligjeve në Libinë e së ardhmes.

“Si vend musliman, Sharia duhet të jetë në bazë të legjislacioni tonë, cdo ligj që bie ndesh me parimet islamike do të shpallet i pavlerë”, tha Jalil.

Obama: Për Libinë nis një epokë e re

Presidenti amerikan, Barak Obama përshëndeti atë që ai e quajti, nisjen e një epoke të re për Libinë.

“Pas 40 vjetësh diktature brutale dhe 8 muajsh lufte të përgjakshme,
libianët tashmë mund të festojnë lirinë e tyre dhe nisjen e një epoke të
re për ta”, thuhet në një mesazh të Obamës drejtuar popullit libian.

Mesazhe drejt libianëve kanë dërguar edhe Ministri i Jashtëm britanik,
Ulliam Hague dhe homologu i tij francez, Zhupe. Të dy diplomatët
europianë mirëpriten shpalljen e clirimit të Libisë duke e cilësuar atë
si një ngjarje historike. 

Trupi i Gadafit do t’u rikthehet familjarëve

Qeveria provizore libiane ka theksuar se trupi i Muammar Gaddafi-t do i rikthehet familjes së tij.

Në qytetin Misrata është kryer edhe autopsia që ka dalë në përfundimin se ish-diktatori gjeti vdekjen nga goditja me armë zjarri.

Sipas disa mediave besnike të Gaddafi-t, Koloneli kishte lënë amanet të varrosej në Sirte tre ditë para vdekjes së tij.

Top Channel