Grupet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia, në takimin e ndërmjetësuar nga BE në Bruksel, kanë rënë dakord për datat e zbatimit të marrëveshjeve për lëvizjen e lirë dhe dokumentet kadastrale.

Lajmi bëhet i ditur në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga qeveria e Kosovës, në të cilën thuhet:

“Lidhur me marrëveshjen për kthimin e dokumentacionit kadastral, ekspertët e të dyja vendeve kanë rënë dakord që më 20 nëntor 2011 të aprovojnë planin për implementimin dhe zbatimin e plotë të saj”.

Me këtë marrëveshje, sqarohet në komunikatë, Serbia detyrohet të kthejë dokumentet kadastrale të marra nga Kosova gjatë luftës.

Ndërsa, Kosova detyrohet të kompletojë sistemin e vet kadastral, si dhe të zgjidhë cështjet kontestuese kadastrale konform Kushtetutës së saj dhe standarteve evropiane.

Po sipas njoftimit të qeverisë, në takimin për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, mes Kosovës dhe Serbisë janë përafruar qëndrimet rreth planit të zbatimit.

“Qeveria e Kosovës në këtë takim konfirmoi se i ka përmbyllur të gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, nënvizohet në komunikatë.

“Po ashtu, u konfirmuan përgatitjet që më 1 nëntor në Kosovë të fillojë zbatimi i asaj pjese të marrëveshjes që parashikon heqjen nga përdorimi të targave ilegale të automjeteve dhe zëvendësimin e tyre me ato legale”, vijohet më tej në dokumentin qeveritar.

Kosova nisi dialogun për cështjet teknike me Serbinë në muajin mars të këtij viti. Që atëherë, nën ndërmjetësimin e BE-së, janë arritur pesë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka mbetur në ngërc.

Top Channel