KFOR-i ka nisur një operacion të madh në Zupce dhe Bërnjak. Në orën 1 e 45 të mëngjesit të së enjtes KFOR-i ka larguar serbët nga barrikadat në Bërnjak, duke vendosur kontrollin e tij.

Pak minuta më vonë, në Cabër filluan të mbërrijnë edhe kolonat e para të KFOR-it. Janë mbi 300 automjete të ndryshe, ndërsa betoni mbi urën në hyrje të Zupces është hequr pa problem dhe tani rruga është e hapur.

KFOR-i ka arritur 3 km përtej rrugës se fshatit Cabër duke iu afruar barrikadës së madhe. Këtu raportohet se KFOR ka vendosur edhe tela me gjemba.

Gjatë ndërhyrjes në Jagjenicë, KFOR-i është sulmuar me gurë nga turmat e serbëve cka ka sjellë edhe 8 të lënduar në radhet e forcës shumëkombëshe.

Gazetarja e Top Channel Arta Berisha raporton se mbi fshatin Cabër në kodrën më të lartë, në vijë ajrore rreth 800 metra nga barrikada e Zupces dhe Jagonicës është vendosur KFOR-i gjerman dhe austriak dhe se shihen përgatitje për ndërtimin e një kampi afatgjatë.

Raportohet se në veri po qendron i ashtuquajturi, Sekretari i Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanovic. “Blic” njofton se tre autobusë të pjesës veriore të Mitrovicës të mbushur me qytetarë serbë tentuan të shkojnë tek barrikadat për të mbështetur Jagenicën.

Në një komunikatë për shtyp EULEX-i njofton se në bashkëpunim me KFOR-in filluan një operacion të përbashkët për rivendosjen e lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës.

Barrikadat u larguan dhe u vendosën pika të kontrollit për automjete dhe postblloqe. Këto veprime janë ndërmarrë afër Pikëkalimit 31 si dhe në zonën e Zubin Potokut. Sipas EULEX-it, qëllimi i përgjithshëm është që të përmirësohet gjendja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës.

EULEX-i i ndaloi për një kohë të shkurtër disa persona afër Pikëkalimit 31, por ata u liruan më vonë. Komunikata konfirmon se janë shënuar disa incidente të vogla. Nga ana tjeter EULEX-i kërkon nga qytetarët ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë sundimin e ligjit. Këtë e presin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Top Channel