“Shpërbërja e ETA-s, çast historik për Spanjën”

21/10/2011 12:00

Kryeministri i Spanjës, Jose Luis Rodriguez Zapatero, përshëndeti vendimin e grupimit separatist bask, ETA, për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur për pavarësinë e krahinës.

Ai shtoi se “800 viktimat që ETA ka shkaktuar në 40 vitet e luftës së saj duhet të mbahen mend gjithmonë si një epokë terrori, e cila nuk duhet të përsëritet më kurrë. Shpërbërja e organizatës është një fitore për demokracinë, ligjin, por mbi të gjitha arsyen njerëzore”.

Në të shkuarën, organizata ka thyer disa premtime për armëpushime, por këtë herë, garancitë për pushimin e aktivitetit kanë qenë të plota. Në një deklaratë të publikuar gjatë të enjtes, lëvizja baske shkruante se “në kushtet e reja historike të krijuara, nuk ka më arsye për vazhdimin e një lufte të armatosur”.

Në këmbim të vendimit për shpërndarjen, ETA pretendon më shumë të drejta për popullsinë baske, e cila është e ndarë midis Spanjës dhe Francës. Megjithtatë, formulimi bëhej në formë kërkese, pa asnjë kërcënim nëse nuk do të realizohej.

Ndonëse nuk është bërë publike, ekspertët vlerësojnë se midis Madridit dhe ETA-s mund të ekzistojë një protokoll sekret, i cili mund të rregullojë çështjen e një aministie të gjerë për të burgosurit e organizatës.

Top Channel