Opozita shqiptare në Maqedoni akuzoi Qeverinë e Shkupit se nuk ka vullnet politik për të firmosur marrëveshje me Shqipërinë për lëvizjen e qytarëve të dy vendeve pa pasaporta, sic ka bërë me Serbinë dy javë më parë.

Sipas përfaqësuesve të opozitës Qeveria e Gruevskit do përdorë standarde të dyfishta në raport me Tiranën dhe Beogradin, pasi zvarrit arritjen e marrëveshjes për lëvizje pa pasaporta me Shqipërinë edhe përkundër faktit që shteti shqiptar plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për një marrëveshje të tillë.

“Qeveria e Maqedonisë kur është cështja për Kosovën dhe Shqipërinë bën të pamundurën që t’ua vështirësojë qytetarëve shqiptarë të njejtën të drejtë si atyre të Serbisë”, tha deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi.

 “Jemi kundër politikës dualiste pro ratifikimeve me disa shtete, kurse kundër ratifikimeve me disa shtete tjera”, u shpreh deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri.

Por këto akuza të opozitës u hodhën poshtë nga zv/ministri i brendshëm, Xhelal Bajrami, i cili tha se Maqedonia është e interesuar që sa më parë të arrijë edhe me Shqipërinë marrëveshje për lëvizjen e qytetarëve vetëm me letërnjoftime. Madje ai paralajmëroi se një marrëveshje e tillë pritet të nënshkruhet vitin e ardhshëm.

 “Mbetet që këtyre ditëve të zyrtarizohen grupet punuese që do të jenë nga Shqipëria dhe Maqedoni që ti qasemi me seriozitet pak më të madh kësaj cëshjte. Fatmirësisht Shqipëria plotëson kriteret pët të pas një marrëveshje të këtillë dhe nuk do të kemi pengesa për të nënshkruar një marrëveshje të këtillë me Shqipërinë, ndërsa duhet ta pranojmë se Kosova akoma nuk është e gatshme për një marrëveshje të tillë”, tha zv/ministëri i Punëve të Brendshme në Maqedoni,  Xhelal Bajrami.

Bajrami po ashtu ka njoftuar se së shpejti Shqipëria dhe Maqedonia pritet të arrijnë marrëveshje për formimin e një qëndre të përbashkët kufitare për shkëmbim të informacioneve mes policive të të dyja vendeve.

Top Channel