Trupat e KFOR-it dhe EULEX-it nisën aksionin për heqjen e barrikadave të serbëve në veri të Kosovës.

Mësohet se EULEX ka marrë nën kontroll barrikadën në pikën kufitare në Bërnjak, ndërsa KFOR ka shtuar prezencën kudo në veri, duke ngritur pika të reja kontrolli.

Gjithashtu, KFOR po vazhdon largimin e barrikadave që dërgojnë serbët në pikën kufitare 31. KFOR u ka bërë thirrje serbëve që të shpërndahen dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre.

Trupat ndërkombëtare kanë arritur të heqin barrikadën në fshatin Jegenicë, gjatë rrugës për në Bërnjak. Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, KFOR ka përdorur gaz lotsjellës ndaj serbëve që kanë tentuar të pengojnë heqjen e barrikadave.

Ndërkohë, presidenti serb Boris Tadiç i ka kërkuar KFOR-it dhe EULEX-it përmbajtje në veprimet e tyre. Gjithashtu, Tadiç u ka bërë thirrje përfaqësuesve të serbëve lokalë të marrin vendime në interes të qytetarëve.

Operacioni nisi pasi gjatë së mërkurës nuk u arrit një marrëveshje ndërmjet përfaqësuesve të serbëve dhe atyre të KFOR-it dhe EULEX-it.


Takim i mbajtur dështoi
për shkak të kërkesave të serbëve me të cilat duket se nuk u pajtuan përfaqësuesit e KFOR-it. Serbët pranuan t’i largonin barrikadat, por me kusht që shfrytëzimi i rrugëve të bëhet në mënyrë selektive.

Cka do të thotë se KFOR-i do të mund t’i shfrytëzonte rrugët në veri vetëm për nevojat e veta, sic janë transporti i ushtarëve ose furnizimi i tyre me ushqim, duke përjashtuar dërgimin e policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit.

Ndërkohë, mësohet se gjatë aksionit të KFOR-it, dy ushtarë kanë mbetur të lënduar pasi janë përleshur me serbët. Edhe nga këta të fundit ka pasur të lënduar, por numri i saktë i tyre nuk dihet ende.

Deri tani nuk ka të arrestuar nga radhët e protestuesve serbë në veri të Mitrovicës, ku janë bastisur një lokal dhe një banesë pranë pikës kufitare 31. 

Top Channel