Angli, zbardhet identiteti i shqiptarit

20/10/2011 00:00

Është zbardhur identiteti i shtetasit shqiptar që humbi jetën pasi u hodh nga treni i linjës Londër-Bruksel.

Sipas informacioneve të fundit, viktima është shtetasi Qemal Tocilla, 22 vjec, me origjinë nga Kukësi dhe banues në Tiranë.

Identieti i të riut u zbulua me ndihmën e ambasadës shqiptare në Londër.


22-vjecari u hodh nga treni
“Eurostar”, që udhëtonte me 110 kilometra në orë, pasi hapi derën e emergjencës. Ai po kthehej në Belgjikë pasi i ishte refuzuar qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Së fundmi qeveria britanike ka përforcuar masat ndaj emigrantëve, me qëllim vënien nën kontroll të fluksit të klandestinëve.

Disa ditë më parë nëntë shqiptarë u kapën pasi po tentonin të hynin ilegalisht në territorin britanik, të fshehur në një kamion me targa rumune që transportonte mobilje për kompaninë suedeze IKEA.

Në një fjalim të mbajtur rreth një javë më parë, kryeministri David Cameron tha se qeveria e tij kërkon që emigrantët të mos shndërrohen në barrë për taksapaguesit.

Gjithashtu, qeveria aktuale britanike do të ndalojë marrjen e testeve të patentave të makinës në gjuhë të huaja.

Shkaku për këtë është frika në rritje se dhjetëra persona që kanë marrë patentat nuk dinë të lexojnë shenjat e rrugëve të shkruara në anglisht.

Top Channel