Rusia, marrëveshje me ish-Republikat Sovjetike

19/10/2011 15:30

Rusia ka nënshkruar një marrëveshje të tregëtisë së lirë me shtatë ish-Republika të tjera Sovjetike, duke zeruar taksat për importin dhe eksportin e të gjitha mallrave.

Marrëveshja u nënshkrua ditën e mërkurë midis Kryeministrit Putin dhe përfaqësuesve të Ukrainës, Bjellorusisë, Kazakistanit, Armenisë, Kirgistanit, Moldavisë dhe Taxhikistanit.

Uzbekistani, Azerbajxhani dhe Turkmenistani pritet t’i bashkohen marrëveshjes në fund të vitit. Sipas Putinit, “heqja e taksave doganore do të lejojë ekonominë e përbashkët të të gjithë vendeve që të jetë më konkurruese”.

Sipas analistëve, më domedhënëse është përfshirja e Ukrainës në këtë marrëveshje, pasi më parë kishte nënshkruar plane të tilla me vendet e Bashkimit Europian.

Presidenti aktual i Ukrainës, Viktor Yanukovych, konsiderohet si shumë më prorus se paraardhësi, ndërsa firma e tij vjen në kohën kur është vendosur në qendër të kritikave të ashpra nga Brukseli zyrtar, për shkak të burgosjes së ish-Kryeministres Tymoshenko.

Më parë gjatë tetorit, Putin hodhi idenë e formimit të një strukture të ngjashme me BE-në midis Rusisë dhe vendeve të tjera ish-sovjetike. Plani i tij është kritikuar gjerësisht si një përpjekje për të ringjallur Bashkimin Sovjetik.

Top Channel