Obama: I kënaqur nga lirimi i Shalit

19/10/2011 08:40

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, është “i kënaqur” nga lirimi i ushtarit Ghilad Shalit.

Kështu është shprehur zëdhënësi i Obamës, Jay Carney, ndërkohë që Departamenti i Shtetit lë të kuptohet se disa nga palestinezët e liruar në shkëmbim të Shalit kanë kryer krime kundër amerikanëve.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ka deklaruar se Uashingtoni i ka shprehur shqetësimin e tij qeverisë izraelite për lëshimin e disa të burgosurve palestinezë.

Hamas u ka dorëzuar ndërmjetësve egjiptianë ushtarin izraelit Gilad Shalit ditën e martë, pas pesë vjet pengmarrje, në kuadër të marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve me Izraelin.

Rreshteri Shalit u rrëmbye në vitin 2006 nga militantët e Hamasit, të cilët hynë përmes një tuneli në Izrael. Ditën e hënë, gjykata Supreme e Izraelit rrëzoi një peticion të familjarëve të viktimave të sulmeve të militantëve për të shtyrë shkëmbimin.

Top Channel