Policia greke është detyruar të përdorë gaz lotsjellës dhe makina me ujë, për të shpërndarë turmat e dhunshme, pas një përleshje që ndodhi në Athinë gjatë protestave që po mbahen ndërsa një grevë 48 orëshe ka paralizuar vendin.

Me dhjetëra mijëra persona u dyndën në rrugët kryesorë të Athinës gjatë ditës së sotme, për të protestuar kundër masave të reja të ashpra të qeverisë, për të shkurtuar defiçitin buxhetor dhe për të nxjerrë ekonominë nga spiralja e regresit ku është përfshirë.

Disa protestues iu kundërpërgjigjën ndërhyrjes së policisë duke ndezur zjarre dhe duke i goditur me gurë, ndërsa janë regjistruar dhjetëra të arrestuar e disa të plagosur.

Greva, e cila ka paralizuar çdo lloj transporti dhe shumicën e shërbimeve publike, është shpallur ndërsa parlamenti është duke u përgatitur të votojë masat e reja shtrënguese, që përfshijnë shkurtime të reja në administratë dhe ulje pagash e pensionesh.

Pavarësisht marrjes së huave masive nga Bashkimi Europian, masat e marra deri tani nga Athina zyrtare nuk kanë dhënë efektet e pritura dhe vendi kërcënohet nga falimentimi total.

Tërbimi i sindikatave në vend është rritur nga java në javë, duke kulminuar me grevat dhe protestat që po zhvillohen aktualisht. Për herë të parë, në lëvizjen greviste janë përfshirë edhe departamentet shtetërore, biznese, zyra dhe dyqane. Të gjitha ato janë mbyllur, me pronarët dhe nënpunësit e vegjël që i bashkohen për herë të parë protestave.

Nga ana e tij, Kryeminsitri Jorgos Papandreou, u shpreh se askush nuk dëshiron të marrë masa të tilla të dhimbshme, por ato janë të pashmangshme. Ai shtoi se njerëzit që po organizojnë protestat janë ata që po bllokojnë rrugën e progresit në vend.

Vendet e Bashkimit Europian, të përballuara me masat e mëparshme joefektive, i kanë bërë të qartë qeverisë greke se nëse masat e parashikuara nuk do të aprovohen, atëherë huatë do të ndërpriten, duke lënë Athinën zyrtare pa asnjë mjet për pagimin e administatës, pensioneve dhe investimeve të tjera në vend.

Dhunë nga Selaniku në Kretë

Nga Selaniku deri në Kretë, thirrjes së sindikatave për protesta kundër masave shtrënguese të qeverisë i janë përgjigjur mijëra qytetarë.

Mbi 20000 vetë kanë vërshuar në rrugët e Selanikut në një nga mitingjet më të mëdha në historinë e këtij qyteti, të cilët u kanë thënë “jo” masave të qeverisë, politikës së ndjekur nga trojka dhe në përgjithësi politikës së udhëheqësve europianë ndaj krizës ekonomike.

Protesta të fuqishme janë zhvilluar në Patra, Lamia dhe Volos. Gjithashtu, në të tre qytetet më të mëdha, Kretë, Hania, Iraklio dhe Rethimno, mijëra grekë kanë protestuar duke hedhur parrulla të tipit “Nuk durojmë dot më”, “Falimentuam” dhe “Boll me masat e mjerimit”.

Protestat kanë përfunduar me përleshje të anarkistëve me forcat e policisë. Projektligji i masave financiare të hartuar nga qeveria konsiderohet si më radikali dhe është quajtur ndryshe si “projektligji Armagedon”.

Greqi, miratohet paketa e parë e masave

Ligjvënësit grekë aprovuan paketën e parë të masave për zgjidhjen e krizës, duke kaluar kështu projektit që do të aprovojë rritjen e taksave dhe shkrutimet e mëdha të pagave dhe pensioneve.

Paketa kaloi me 154 vota pro dhe 141 kundër, gjatë mbrëmjes së të mërkurës. Një votim i dytë për disa anë specifike të projektit do të mbahet dhe vetëm nëse kalojnë edhe ato dispozita, plani do të hyjë në fuqi.

Përpara mbajtjes së votimeve, protesta të dhunshme shpërthyen në Athinë gjatë demonstratave të më shumë se 100 mijë njerëzve, ndërsa sindikatat kanë deklaruar bashkarisht një grevë 48-orëshe.

Top Channel