Ushtria keniane avancon në Somali

18/10/2011 15:10

Trupat keniane, të mbështetura edhe nga forcat ajrore, janë duke avancuar thellë në territorin e Somalisë, ndërsa gjenden në afërsi të një qyteti 120 kilometra nga kufiri, i kontrolluar nga trupat e Al-Shabab.

Qeveria keniane nisi një sulm ushtarak në shkallë të gjerë ditën e hënë, pas rrëmbimeve të vazhdueshme të personave në territorin e Kenias, nga ana e militantëve terroristë.

Zëdhënësi i Ministrisë Keniane të Mbrojtjes, majori Emmanuel Chirchir, informoi se avancimi është ngadalësuar disi nga terreni i vështirë, por trupat ende nuk kanë ndeshur në rezistencë serioze.

Al-Shabab kërcënoi Najrobin zyrtar me sulme të shumta kamikaze, nëse nuk tërheq në mënyrë të menjëhershme trupat, ndërsa nuk merr përsipër përgjegjësinë për rrëmbimet, disa prej të cilave edhe të shtetasve perëndimorë.

Një qeveri që të ketë pushtet mbi të gjithë Somalinë mungon që prej vitit 1991, kur një grusht shteti solli anarki të plotë në vend, e cila vazhdon edhe tani. Al-Shabab, një organizatë terroriste e lidhur me Al-Kaedën, zotëron shumicën e territorit të vendit, ku ka vendosur rendin e ligjit islamik, sheriatit.

Top Channel