Ndërtimi godet buxhetin

18/10/2011 08:15

Prej vitit 2009, sektori i ndërtimit në vend nuk po mundet të dalë nga ngërçi i krizës. Ishin bankat të parat dhe më pas mungesa e lejeve të ndërtimit që e vendosën sektorin në një situatë të vështirë.

Gazeta “Shqip” shkruan se, edhe pse situata ekonomike në tërësi ka ndryshuar, me banka që kanë liruar dorën e kreditimit dhe me leje të zhbllokuara, sërish ndërtimi ndodhet në ngërç, për të mos thënë në gjendje kolapsi, aq sa po i kushton rëndë edhe vetë buxhetit të shtetit.

Ajo çfarë po ndodh me sektorin më të madh në vend, (kontributi në PBB është 14%), duket qartë nga shifrat e Ministrisë së Financave lidhur me pagesën e taksave, më konkretisht të TVSH-së.

Të dhënat e konfirmuara, për 7-mujorin 2011, mbi situatën e shitjeve dhe pagesës së TVSH-së, e nxjerrin ndërtimin sektorin më të dobët, ndër pesë fushat kryesore në ekonomi.

Gjatë kësaj periudhe, kontributi i këtij sektori në taksën e vlerës së shtuar ka rënë me mbi 35 për qind, në raport me 7-mujorin e kaluar të 2010-s, ose gati 15 milionë dollarë më pak.

Aktiviteti privat ka rënë ndjeshëm, aq sa ka detyruar rreth 20 firma ndërtimi të mbyllin biznesin, duke shtuar kështu radhën e të papunëve.

Drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve thonë se vijon të mbetet problem mungesa e kredive nga bankat dhe se kërkojnë ndërhyrje nga qeveria për ofrimin e garancive.

“As bankat nuk na japin më kredi”, shprehet Ilir Hebovija, n/drejtor ekzekutiv i shoqatës. Niveli deficit prej 35 për qind në arkëtimin e TVSH-së do të thotë ndryshe po aq volum pune mangët i realizuar.

Goditjen më të madhe ndërtimi e mori në vitin 2010, ku në korrik qeveria vendosi të ndërpriste investimet publike me vlerë 400 milionë dollarë, për shkak të krizës me financat.

Sikur të mos mjaftonte ky kufizim, ndërtuesit panë këtë vit një tjetër shkurtim të shpenzimeve, me rreth 180 milionë dollarë, sërish te pjesa e punëve publike.

Shoqata ankohet edhe për borxhet e shtetit, për punë të kryera, por ta palikuiduara nga Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike.

INSTAT raportoi së fundmi se aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2011 pati rritje me 4.8 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2010 dhe me 11.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010.

Punët nuk shkojnë mirë as në sektorin e shërbimeve (bankat dhe kompanitë celulare), ku kontributi në pagesën e TVSH-së është ulur në 24 për qind.

Sipas Ministrisë së Financave, ulja e tarifave për bisedat celulare ka bërë të mundur reduktimin e të ardhurave nga TVSH-ja, taksa që paguhet në fund nga konsumatori.

Top Channel